Në nëntor 2023, hyri në fuqi ligji i ri “Për fondet e pensionit privat”. Ligji u miratua nga Kuvendi i Shqipërisë në shtator dhe u botua në Fletoren Zyrtare më datë 20 tetor, ndërsa përmbajtja e tij parashikonte hyrjen në fuqi 15 ditë pas publikimit.
Ligji i ri sjell rritje të ndjeshme të lehtësive fiskale për kontributet në fondet private të pensioneve. Me ligjin e mëparshëm, kufiri maksimal për lehtësitë tatimore mbi kontributet në pensione private është vlera më e vogël, që del nga krahasimi i shumës 200 mijë lekë dhe 15% të të ardhurave vjetore bruto të anëtarit.
Sipas ligjit të ri, kufiri maksimal mujor i përjashtimit tatimor do të rritet deri në nivelin e pagës minimale të miratuar, që aktualisht ka arritur në 40 mijë lekë në muaj. Duke qenë se përjashtimi nga taksat lidhet me nivelin e pagës minimale, pritet që ky stimul të rritet edhe më shumë në vitet e ardhshme.
Me nivelin aktual të pagës minimale, shuma e kontributeve e përjashtuar nga tatimet do të arrinte sot në 480 mijë lekë në vit, ose 140% më shumë krahasuar me pragun aktual prej 200 mijë lekësh. Edhe kontributet e pensionit privat të derdhura nga punëdhënësi në favor të punëmarrësit do të përjashtohen nga tatimi në të njëjtën masë.
Ligji gjithashtu parashikon që pensionet të mos tatohen në përfitim për pjesën e kontributeve, por vetëm për kthimin nga investimi, me kusht që tërheqja të bëhet me pagesa mujore të shtrira në të paktën dy vjet dhe jo në mënyrë të menjëhershme, pas përmbushjes së kushteve ligjore për përfitimin e pensionit privat.
Në rast tërheqjeje të parakohshme të fondit të pensionit (përpara përmbushjes së kushteve ligjore), vlera e tërhequr do të tatohet e gjitha me normën ligjore të tatimit mbi të ardhurat (15%, sipas ligjit aktual). Ligji sjell për herë të parë edhe një formë të re të fondit privat të pensionit, atij me pjesëmarrje të mbyllur.
Fondi i këtij lloji mund të krijohet nga një punëdhënës, disa punëdhënës, ose një entitet i organizuar si bashkim punëdhënësish, sindikatë, bashkime sindikatash apo shoqatë, në cilësinë e sponsorit. Ky fond është i ngjashëm me skemat profesionale të pensioneve që aplikohen aktualisht nga disa kompani, por ndryshimi është se në fondet e mbyllura, pjesëmarrja është ligjërisht e kufizuar vetëm për të punësuarit apo anëtarët e subjekteve të mësipërme.
Pensionet private, tregu arrin në gati 40 mijë anëtarë
Tregu i pensioneve private vullnetare u rrit më tej në tremujorin e parë të këtij viti. Të dhënat nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se tregu iu afrua kufirit të 40 mijë anëtarëve. Gjatë tremujorit të parë të vitit, numri i anëtarëve të fondeve arriti në 39 910 anëtarë, në rritje me 4.53% që nga fillimi i këtij viti dhe me 7.9% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Numri i individëve pjesëmarrës në fondet private të pensioneve po rritet me ritme të qëndrueshme dhe është në nivelet më të larta historike. Megjithatë, kjo rritje vjen mbi një bazë të ulët dhe depërtimi i këtyre skemave ngelet ende shumë modest. Numri i individëve që kontribuojnë për një pension privat ngelet në afërsisht 3% të numrit të përgjithshëm të të punësuarve në vend, çka tregon një nivel ende shumë të ulët të mbulimit me fonde private të pensioneve.
Vlera e aseteve neto të fondeve të pensionit në fund të muajit mars arriti në pak më shumë se 7 miliardë lekë, në rritje me 4.18% që nga fillimi i vitit dhe me 17.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Asetet e fondeve të pensioneve janë të investuara kryesisht në obligacione të qeverisë shqiptare.
Për nga vlera e aseteve, tregu i fondeve private mbetet ende segmenti më i vogël i tregut financiar në Shqipëri. Në fund të tremujorit të parë, në treg ishin aktive gjashtë fonde të pensioneve private, që administrohen nga katër shoqëri administruese.
Sipas numrit të anëtarëve, aktori më i madh në treg është Credins Pension, me rreth 47.6% të numrit të përgjithshëm të anëtarëve, i ndjekur nga Sigal Pension me 30.67%, Albsig Pension me 10.42%, Raiffeisen Pension me 10.13%, Smart Pension, me 1.03% dhe Sigal Pro, me 0.15%.
Për nga vlera e aseteve neto, fondi më i madh është Sigal Pension me 40.82% të totalit, i ndjekur nga Credins Pension, me 30.5%, Raiffeisen Pension, me 20.72%, Albsig Pension me 7.53%, Smart Pension, me 0.4% dhe Sigal Pro, me 0.02%./ Monitor