Nga Artan Fuga
Në vëmendje të delegacionit të Komisionit të Venecias
Ka vend të dali më qartë se çfarë përmban ligji i amenduar për transmetimet audiovizive dhe elektronike, dhe përse ai është jo vetëm kulturalisht dhe profesionalisht i padenjë, por edhe bie në kundërshtim jo thjesht me lirinë e shprehjes, por ka probleme të tjera më të mprehta, krejt të tjera, që nuk janë vendosur në dukje.
Publikimet dhe masat kundër shkeljeve të parashikuara i trajton në mënyrë të diferencuar, pra ndryshe për median e shkruar në letër, ndryshe për transmetimet audiovizive lineare, pra të televizioneve, dhe ndryshe për portalet dhe përgjithësisht për platformat e publikimeve elektronike.
Në këtë mënyrë ai drejtohet kundër barazisë të subjekteve para ligjit. Privilegjon mediat klasike dhe diskriminon mediat elektronike.
Nuk përcakton qartë dhe prerë se cili është dallimi midis një transmetuesi personal apo një transmetuesi që konsiderohet se ka një vijë editoriale të përcaktuar. Përmbajtja editoriale e përpunuar nuk ka lidhje fare me dallimin nëse je publikues personal apo subjekt juridik.
Po ashtu nuk rregullohet edhe cënimi i personit në Internet pavarësisht nëse dëmtuesi është me këtë apo status. O shokë kryetarë kooerativash: është web -i media apo jo?
Në vend të përcaktojë llojin e veprës penale ose kundravajtjes administrative, pra nëse është: cënim i privatësisë, cënim i së drejtës të imazhit, fyerje, denigrim, shpifje, harselim, etj., ligja në fjalë përmend cënimin e “reputacionit”.
Pra specifikon vetëm pasojën, por nuk parashikon përcaktimin e mjeteve dhe rrugëve kundraligjore që çojnë atje. Përsa i përket reputacionit nuk specifikohet se çfarë është reputacioni dhe kur quhet i dëmtuar. Tani gjithkush bërtet m’u dëmtua reputacioni!
Dëmtimi mund të jetë jo vetëm i reputacionit por edhe shkaktim i dëmeve financiare dhe materiale, Prandaj duhet që të përcaktohet: Me çfarë mjeti dhe veprimesh është sjellë dëmtimi. Të provohen dëmete materiale dhe morale që kanë lidhje me këtë. Të specifikohen që kjo është bërë me qëllim si edhe të provohet që faktet e publikuara dihet se ishin të rreme. Kjo është abc e ligjeve të BE.
Dëmtimin e reputacionit duke ja kaluar për gjykim AMA ose Këshillit të ankesave ligji i quan si kundravajtje administrative. Në fakt kjo dëmton të drejtat qytetare sepse kodi penal shpifjen, etj, i konsideron kundravajtje, vepra penale. Tani gjyakata për këto raste mund t’i thotë qytetarit shko te Ama!!!
Gjykimi bëhet jo nga gjykatat. Ligja në fjalë përcakton që masat mund t’i japi ose bordi i AMA-s ose Këshilli i Ankesave dhe nuk përcakton qartë se cili prej tyre. Kjo krijon një flu juridike dhe administrative të hatashme.
Gjykata administrative ka tagër të gjykojë nëse vendimi i AMA -s është apo jo i drejtë administrativisht, por nuk ka tagër të gjykojë vetë çështjen me themel si shpifje. Në Gjykatë individi shkon paraqitet vetë përpara trupës gjykuese kurse te AMA operatori nuk parashikohet të shkojë. Nuk ka as avokat si në gjyq, nuk ka mundësi as për tre shkallë gjykimi. Me një fjalë kthehet në gjykimin fshatçe, tipi i frontit demokratik.
Ndryshohen kompetencat e këshillit të ankesave dhe përbërja e tij por thuhet se ata janë specialistë të medias. Pra janë njerëz që nuk kanë medoemos kulturë juridike. Aq më shumë që janë në varësi të bordit të AMA anëtarët e të cilit janë me ngjyresa politike partiake. Gjykimi i masave administrative pra ka burim politik.
Cfarë kuptohet me specialistë të medias?
Këta janë që do të gjykojnë nëse një publikim nxit terrorin, cenon sigurinë kombëtare!!! Ku i gjetën kompetencat kur keto ceshtje gjykohen nga gjykatat si vepra penale.
Ndalimi aksesit në Internet, detyrimi për të hequr përmbajtjen e botuar, etj, merren me vendim të AMA , që urdhëron AKEP, pra AKEP vihet nën urdhërat e AMA që nuk parashikohen në asnjë ligj. Nuk parashikohet që në rast ankimimi në Gjykatën administrative, dhe kur kjo e fundit i jepe të drejtë operatorit, çfarë përgjegjësie financiare mban AMA për dëmet e sjella. Gjykimi në gjykatën administrative mund të vazhdoje me muaj të tërë nderkohe që operatori mund të falimentojë.
Kalimi i masave kundër prekjes të reputacionit nga me dimension penal të dhëna nga gjykata në masa administrative duket sikur i lehtëson ndeshkimet, por bën që AMA nën kontroll politik të japi masa brenda tre ditëve pa asnjë të drejtë apelimi kundër tyre dhe kështu të mbysi kritikën. Ndërkohë gjoba për këto kundravajtje është në mjete financiare po aq e rëndë sa edhe kur trajtohen si vepra penale. Këtu kemi një disproporcion të ndëshkimit.
Pra nuk dënohet fillimisht vetëm media, por edhe vetë qytetari dëmtuar, ju, ne, ata, ato, që për dëmet që na sjell media nuk kemi më të drejtë t’i kërkojmë pranë gjykatave por te AMA.
Na shkelet e drejta për gjykim të drejtë! E kuptoni apo jo, gazetarë, shoqata, juristë, deputetë, organizma ndërkombëtare, qytetarë! Nuk është çështje medias thjesht, por e lirive dhe të drejtave qytetare. Eshtë ceshtja e respektimit të Kushtetutes! Shoqëria Piramidale godet përsëri duke vendosur në rresht pikërisht komunikimin elektronik që e rrënon, e grryen, e thërmon PIRAMIDËN!