Pas diskutimeve intensive në Komisionet parlamentare, ku janë paraqitur edhe amendamente shtesë, drafti ligjor “Për Policinë e Shtetit”, u prezantua në seancë plenare për miratim.
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, nga foltorja e Kuvendit, tha se ligji i ri në fokus ka atë që është vizioni i qeverisë për “Shqipërinë 2030”, për Shqipërinë si pjesë e Bashkimit Europian.
Më tej, kreu i Ministrisë së Brendshme, vlerësoi ligjin aktual të Policisë së Shtetit të miratuat në vitin 2014, duke theksuar se ka arritur rezultate të rëndësishme, të cilat i argumentoi me disa statistika.
“Nëse 10 vite më parë Shqipëria, ishte një ndër vendet me nivelin më të lartë të kriminalitetit, sot Shqipëria nuk është më as në 10 vendet me kriminalitetin më të lartë, por në vitin 2023 shënojmë një prej arritjeve të progresive, më të dukshme të Shqipërisë në këtë aspekt, duke lëvizur pozitivisht me 6 vende, duke lënë pas thuajse të gjitha vendet e rajonit dhe përmirësim të dukshëm dhe në krahasim me vendet anëtarë të BE”, tha Balla.
Një tjetër e dhënë është ulja e numrit të ngjarje me pasoja në akset rrugore.
“Numri i mjeteve të vizitorëve të huaj është shumëfishuar. 2.85 milion mjete në pronësi të huaj ishin në 2023, në 2024 presim që të kemi një shifër 3.5 milion mjete në pronësi të shtetasve të huaj, pra me targa të huaja që vijnë në Shqipëri. Shtuar këtu dhe gati 950 mijë mjete me targa të Shqipërisë, i bie diku tek 4.5 milion mjete që do të lëvizin në rrugët e Shqipërisë. Trendi vijon të jetë në zvogëlim për sa i takon incidenteve rrugore me pasojë humbjen e jetës”, tha ministri i Brendshëm.
Parandalimi i ngjarjeve, sipas tij, është një tjetër fokus i punës së Policisë. E këtu solli një tjetër të dhënë statistikore. Në vitin e fundit janë 163 ngjarje kriminale të parandaluara në kohë nga Policia e Shtetit.
Ministri Balla tha se sot Policia gëzon gjetësisht besimin e qytetarëve.
“Në rast se kemi përgjysmim të numrit të veprave penale që lidhen me veprat penale ndaj personit, vrasje, kjo shoqërohet me një indikator tjetër që vjen nga sondazhet e respektuara të agjencive të specializuara të mbështetura nga organizatat partnere. Sondazhi më i fundit tregon se në rast se 10 vite më parë, 1/3 e shqiptarëve kishte besim tek Policia e Shteti, sot 72% e të intervistuarve kanë besim të plotë tek Policia e Shtetit, një nga institucionet më të besuara në vend”, citohet ministri.
Ligji i ri, sipas tij, synon ta çojë Policinë e Shtetit në një nivel tjetër, që i shkon përshtat synimit të madh, që është Shqipëria pjesë e Bashkimit Europian brenda vitit 2030.
“Synojmë kalimin e Policisë së Shtetit në një nivel tjetër. Gjithçka është arritur deri më tani është mirë, por nuk është ajo çka do të donim të kishim, Shqipëria vend anëtar i BE me Policinë e Shtetit të një vendi anëtar të BE. Duam t’i japim Policisë së Shtetit mundësinë për më shumë energjizim, për më shumë karrierë të bazuar në meritokraci dhe rezultatet konkrete në luftën kundër krimit të organizuar dhe ndaj fenomeneve të tjera kriminale, ku fokusi mbetet tek lufta ndaj lëndëve narkotike, prodhimi, trafikimi, shpërndarja e lëndëve narkotike, si një kancer që për fatin e keq prek rininë dhe jo vetëm. Pa harruar këtu dhe format e ndryshme të trafikimit, përfshirë dhe atë të qenieve njerëzore”, shtoi Balla.