Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu deklaroi sot se “në 4 vitet e ardhshme synojmë të arrijmë pagën mesatare të NATO-s, për Forcat e Armatosura”.
I pranishëm në takimin që u zhvillua sot në Tiranë, për konsultim publik, me përfaqësues nga shoqatat e ish-ushtarakëve, për Ligjin e statusit të ushtarakut, Vengu vlerësoi me shumë rëndësi gjithpërfshirjen e të gjithë aktorëve të këtij sektori, në procesin e ndryshimeve ligjore për statusin e ushtarakut, që siç tha ai, “ka në fokus forcimin e FA, modernizimin e tij dhe rritjen e investimeve në kapitalin njerëzor”.
“Ne synojmë të krijojmë instrumente që i bëjnë të rinjtë të rrisin interesin për FA. Përmes ndryshimeve ligjore synojmë mbështetjen financiare për ushtarakët gjatë ushtrimit të detyrës, mbështetjen financiare dhe sociale për familjet e ushtarakëve dhe mbështetje për ushtarakët pas përfundimit të karrierës së tyre”, u shpreh ministri.
“Rritja e kapaciteteve, modernizimi i forcave, industria ushtarake të gjitha këto procese nuk mund të realizohen dhe konkretizohen me sukses nëse ne nuk investojmë te kapitali njerëzor si një shtyllë kryesore që e ka në fokus qeveria”, tha ai.
“Krahasuar me 10 vite më parë ne kemi pesëfishuar rekrutimet. Në Akademinë FA kemi 1100 aplikime për 100 të rekrutuar. Gjithashtu pagat janë rritur ndjeshëm. Kishim pagat më të ulëta në Rajon tani kemi pagat më të larta në Rajon dhe synimi është të rrisim pagat sipas standardeve të NATO-s”, theksoi Vengu.
Vengu tha se, përmes ndryshime ligjore duam të rrisim mbështetjen për ata ushtarakë në rezervë dhe në lirim.