Ditën e djeshme në qytetin e Kurbinit u arrestua nën akuzën për korrupsion Drejtoresha e Shërbimit të Provës, Lindita Lelçaj. Operacioni u krye nga seksioni i Krimit Ekonomik në Drejtorinë Vendore të Policisë në Lezhë.
Mbi ish-zyrtaren e lartë rëndon akuza e shpërdorimitë të detyrës pasi dyshohet se manipulonte provat për persona që vuanin dënimin, duke dhënë verifikime edhe për të dënuar që ndodheshin jashtë vendit. Hetimet janë udhëhequr nga prokuroria e Kurbinit dhe janë në vazhdim e sipër pasi dyshohet se janë të përfshirë edhe persona të tjerë, identiteti i të cilëve nuk bëhet me dje.
Mësohet se dosja pritet t’i kalojë SPAK-ut si rast hetimi i një funksionari të lartë shtetëror.
Organi i akuzës mësohet se ka administruar të gjithë dokumentacionin e zyrës së Shërbimit të Provës në Kurbin për të zbardhur të gjithë shkeljet që mund të ketë kryer shefja e këtij institucioni në bashkëpunim edhe më persona të tjerë.
Lindita Lelçaj kishte disa kohë që mbante postin e drejtores të Zyrës së Shërbimit të Provës në Kurbin, ndërsa më herët ka punuar edhe në organet e drejtësisë në Lezhë. Ndërkohë, pas ndalimit nga Policia për korrupsion, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, mësohet se ka firmosur menjëherë pezullimin nga detyra të drejtueses së Zyrës së Shërbimit të Provës në Kurbin, Lindita Lelçaj.