Futbollisti i Barcelonës Lionel Messi vazhdon të ketë probleme me Drejtësinë. Pak kohë më parë ai i shpëtoi dënimit me burg, nën akuzat për evazion, mirëpo Gjykata në Spanjë ia konvertoi dy vitet burg me gjobë.
Por ndaj tij pritet të fillojë një çështje e re dhe këtë radhë nëse rezulton sërisht fajtor, atëhere vërtet rrezikon të përballet me burg.
Sipas “Diario ABC”, gazetës që zbuloi skandalin e evazionit fiskal të katalanasit me të ardhurat e të drejtës së imazhit, fondacioni i tij i bamirësisë është duke u hetuar për të njëjtën akuzë pas denoncimit të një punëtori të Organizatës Jo Fitimprurëse.
“Fondacioni i bamirësisë i tij është ndërtuar me qëllim përfitimin e miliona eurove grante nga sponsorë të ndryshëm dhe nuk mund të konfirmohet nëse paratë kanë shkuar për qëllimet e bamirësisë, të cilat janë ‘pagimi i projekteve sociale për ndihmën e fëmijëve me probleme’.”, shkruan gazeta.
Sipas “ABC”, nga 2007-2015, Mesi dhe familja e tij kanë pastruar para, të paktën 10 milionë euro, të cilat nuk janë deklaruar në zyrën e taksave spanjolle dhe argjentinase. Ndërsa mendohet të ketë pasur gjithashtu parregullsi në operacionet e fondacionit. (D.D/Shuplaka)