Prokuroria e Durrësit ka paraqitur ankesë kundër vendimit të gjykatës për të mos miratuar arrestimin e Alket Hatija, i njohur si ‘baroni i drogës’ me ngarkesa nga Shqipëria drejt Italisë.
Në shkresën drejtuar gjykatës së Durrësit, organi i akuzës thotë se gjatë seancës ka pasur shkelje proceduriale.
“Nga një analizë ligjore e rrethanave të faktit rezulton që gjykata me vendimin e marrë mbi kërkesën e prokurorisë për “…mosmiratimin e arrestit…” ka gabuar dhe nuk ka respektuar rregullat ligjore dhe proceduriale”, thuhet në ankesën e prokurorisë së Durrësit.
Prokuroria thuhet më tej, nuk ka kërkuar ekstradimin e Alket Hatija, dhe as caktimin e masës së sigurisë mbi kërkesën e autoriteteve të drejtësisë italiane apo ministrisë tonë të drejtësisë. Dhe sipas saj, gjykata nuk e ka vlerësuar fare objektin e hetimit që është “arrestim nga policia gjyqësore”.
Alket Hatija, 44 vjeç, është arrestuar nga policia shqiptare pas të dhënave të karabinierëve të Milanos, që e kërkonin në kuadër të një dënimi në mungesë me 20 vjet burg.