Deputeti i Partisë Demokratike dhe njëkohësisht kreu i PD-së në Durrës, Oerd Bylykbashi, është shprehur se qytetit bregdetar është kthyer në kryeqytetin e bandave kriminale.
Sipas tij, veprimi i kryebashkiakut Vangjush Dako për lirimin e ish-kreut të Bandës së Durrësit Lulzim Berisha, është një akt i paprecentë që nuk ndodh as në Palermo dhe Napoli.
“Është e shkruar e zezë mbi të bardhë, një akst i paprecedentë në gravitetin e vet. Dikush mund të pretendojë se janë procedura rutinë. Por as në Napoli dhe as Palermo nuk mund të ndodhë. Askush, as kryebashkiaku i Durrësit nuk ka të drejtë ta kthejë Durrësin në një nga ato qytete që janë simbol i krimit të organizuar. Për fat të keq, Durrësi është kthyer në kryeqytetin e këtyre bandave, por të paktën shteti nuk mund ti japë dorë. Kjo ishte protestë e heshtur, simbolike”, tha Bylykbashi i ftuar në Ora News.
Ai shtoi se, PD kërkon nga kryeministri Edi Rama shkarkimin e Dakos.
“Ne nuk kërkojmë më dorëheqjen e kreut të Bashkisë së Durrësit, i kemi kërkuar Kryeministrit ta shkarkojë për këtë shkelje të gjetur nga ekspertët ligjorë të PD. Të gjithë thonë se nuk do e bëjë si me kryetarin e bashkisë së Kavajës që e mban në detyrë ndonëse është dënuar për përdhunim, vijoi ai, ndërkohë që dhe ligji për dekriminalizim i jep mundësi për të shkarkuar. Kërkesa jonë për shkakrim është në tryezën e Kryeministrit, është detyrë e tij të ruajë një gram nga morali publik në lidhje me atë që para një viti u miratua në parlamentin e Shqipërisë që është dekriminalizimi”, vijoi Oerd Bylakbashi. (A.R/SHUPLAKA)