Grupi Boko Haram në Nigerinë veriore liroi më shumë se 80 nxënëse të rrëmbyera në vitin 2014 nga grupi militant në qytetin Chibok.
82 vajza janë nën mbrojtjen e ushtrisë në qytetin verilindor Banki, afër kufirit me Kamerunin.
Vajzat do të transferohen në Abuja, kryeqytetin e Nigerisë për t’ju nënshtruar testeve mjekësore.
Vajzat fituan lirinë pas negociatave të zgjatura ndërmjet grupi Boko Haram dhe të dërguarve të qeverisë. Mësohet se nxënëset u liruan në shkëmbim me ekstremistët e burgosur. Një numër i madh vajzash të rrëmbyera në Chibok raportohen ende si të zhdukura.
Autoritetet nigeriane thonë se 276 vajza u rrëmbyen nga një shkollë e mesme e drejtuar nga qeveria më 14 prill të vitit 2014, raporton VOA.
Rrëmbimet nxitën reagime ndërkombëtare përfshirë edhe dënimin nga Këshilli i Sigurimit i OKB
Nuk pati shenja të vajzave të Chibokur për më shumë se dy vjet, derisa njëra prej tyre, tashmë nënë me një foshnjë, u shfaq majin e kaluar. Dy vajza të tjera arritën të arratisen në zonat e kontrolluara nga qeveria më vonë gjatë vitit të kaluar, ndërsa një grup prej 21 pengjesh u liruan tetorin e kaluar.
Ministri nigerian i Mbrojtjes, Manir Dan Ali, i tha shërbimit Hausa të Zërit të Amerikës muajin e kaluar se mund të kalojnë vite derisa të gjenden të gjitha vajzat e rrëmbyera.
Boko Haram, synimi i shpallur i të cilit është krijimi i një shteti islamik, ka vrarë mijëra veta dhe ka detyruar dy milionë që të zhvendosen gjatë kryengritjes së tij që tashmë ka hyrë në vitin e tetë.
OKB shprehet se vajzat nga Chiboku nuk janë viktimat e vetme të grupit Boko Haram.
Militantët kanë rrëmbyer të paktën dy mijë vajza e djem që nga viti 2014. Shumë nga pengjet janë shfrytëzuar si kuzhinierë, skllave seksi, luftëtarë e madje edhe sulmues vetëvrasës, sipas organizatës Amnesty International. (M.D/Shuplaka)