Është dhënë masa e detyrimit të paraqitjes për këngëtarin Aleksandër Gjoka, i cili u arrestua dy netë më parë duke drejtuar mjetin nën efektin e alkoolit.
Lajmi u konfirmua zyrtarisht edhe nga Policia nga ku mësohet se këngëtari është ndaluar rreth orës 00:05, pak pas mesnatës së të dielës, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.4 në rrugën “Sotir Caci” teksa drejtonte një mjet, tip ‘Chevrolet”.
Mësohet se pas testimit me aparat “Drager”, nga shërbimet e Policisë Rrugore rezultoi se Gjoka drejtonte mjetin në gjendje të dehur në masën 0.66 mg/l, gjë e cila përbën vepër penale.
Materialet për këtë çështje i kaluan Prokurorisë se Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.