Reforma Zgjedhore që ishte planifikuar që të mbyllej përpara dhjetorit, duket se do të mbajë ende pezull situatën politike në Shqipëri, pasi palët që janë ulur ne tryezë janë ende larg gjetjes së një gjuhet të përbashkët.
Dy deputetët e opozitës së re Myslim Murrizi dhe Halit Valteri, kanë depozituar sot pranë Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore disa propozime, mes të cilave dhe ajo për ndryshimin Zgjedhor, që për socialistët është ‘’molla e ndaluar”.
Pavarësisht dëshirës së mirë për bashkëpunim me opozitën parlamentare, mazhoranca e përfaqësuar në Komision nga Damian Gjiknuri, në asnjë rast nuk e ka artikuluar për ndryshimin e sistemit, pasi siç e ka thënë vetë Rama në kohën kur synonte pushtetin ‘’fajin e kanë njerëzit dhe jo sistemi”.
Ndërkohë që sipas opozitarit Murrizi ndryshimi i sistemit është një kërkesë që është shtruar nga vetë qytetarët, e kërkojnë të gjithë, përveç Ramës dhe Bashës, që pavarësisht se po punojnë të ndarë, të paktën për ndryshimin e sistemit janë në një mendje, kundër.
“Do të propozojnë ndryshimin e sistemit Zgjedhor. Ndryshimi i sistemit, i kërkuar jo vetëm nga ne, por nga të gjithë përveç Ramës dhe Bashës, kërkojnë që demokracia të shkoj tek qytetari. Ne kërkojmë një sistem të listave të hapura që qytetarët të zgjedhin përfaqësuesit të tyre.
Nuk kam parë asnjë draft teknik, dhe nuk kam ndërmend që të shoh asnjë draft, nëse nuk vendoset dora në plagë që është ndryshimi i sistemit”, tha Murrizi, teksa hynte në Kuvend për të qenë pjesë e Komisionit për Reformën Zgjedhore, që mbahet pa praninë e mediave.
Propozimet e Murrizit dhe Valterit synojnë që deputetët të zgjidhen përmes listave të hapura, dhe të dalin drejtpërdrejtë në garë, të votuar nga qytetarët, dhe jo me emërimet e kryetarëve të partive siç ka ndodhur derimë tani.
Kërkesat e Murrizit dhe Valterit, dhe që mbështeten nga e gjithë opozita parlamentare përmblidhen në lista të hapura, model proporcional kombëtar i sistemit, llogaritje dhe ndarje e mandateve si dhe ndryshim i pragut elektoral.
Listat e kryetarëve, të paktën derimë tani kanë lënë shumë për të dëshiruar, gjë e cila u evidentua më së shumti pas djegies së mandateve nga ana e opozitës, ku në Kuvend u futën individë pas asnjë kontribut shoqëror dhe politik, vetëm prej faktit që Lulzim Basha apo Monika Kryemadhi, kishin vendosur që ata të ishin pjesë e listave me kandidatë, edhe pse jo në vende fituese në një garë normale.
(E.K/Faxweb.al)