Kombëtarja shqiptare e futbollit luan të shtunën në orën 20:45 kundër Serbisë në “Arenën Kombëtare” të Tiranës, sfidë kjo e vlefshme për Grupin K kualifikues të Kupës së Botës 2026.
Skuadra serbe mbërriti këtë të premte në Tiranë, ku u akomodua pas mesditës në hotel. Pas një pushimi prej disa orësh, ekipi i Serbisë iu drejtua stadiumit “Arena Kombëtare” ku në orën 17:30 trajneri Dragan Stojkovic doli para medieve dhe së pari uroi të gjithë ata që festojnë Bajramin.
‘’Pikë së pari urime të gjithë atyre që festojnë Bajramin’’, tha Stojkovic në fjalën hapëse.
Kjo do jetë ndeshja e tretë për Kombëtaren në Grupin K, me tanët që pas humbjes me Anglinë dhe fitores me Andorrën mbajnë vendin e dytë. Nga ana tjetër Serbia ka qenë e impenjuar në Ligën e Kombeve dhe sfida e nesërme është debutuese për ta në këtë grup. Megjithëse ndeshja luhet në Tiranë, kompanitë e basteve shohin më të favorizuar ekipin serb për të fituar.