Adriatik Llalla pas debateve që shkaktoi në vendin tonë në lidhje me deklaratat për Donald Lu ka nisur disa vizita jashtë vendit.
Sot ai zhvilloi një takim me Prokurorin Federal të Belgjikës, Frederic Van Leeuw. Dy liderët kanë diskutuar në Bruksel për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në çështjet me rëndësi globale, ku fokusi kryesor ishin masat e përbashkëta për luftën kundër terrorizmit.
Gjatë takimit, Llalla informoi homologun e tij lidhur me hapat e ndërmarra nga autoritetet shqiptare për të luftuar dhe minimizuar rastet e rekrutimit të shtetasve shqiptare për konfliktet e armatosura në Lindjen e Mesme. Nga të dhënat e deritanishme, rezulton se Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm në këtë drejtim.
Prokurori i Përgjithshëm ka rikonfirmuar qëndrimin se “vendi ynë do të vijojë të jetë aleat i Belgjikës dhe i kujtdo tjetër që ka si objektiv primar ruajtjen dhe forcimin e sigurisë për çdo njeri, pavarësisht etnisë dhe besimit fetar”. Llalla është njohur nga Prokurori Federal i Belgjikës me problematikën e kriminalitetit shqiptar në atë vend, kryesisht për grupet që ushtrojnë veprimtarinë e paligjshme në shfrytëzimin e prostitucionit dhe trafikimit e shpërndarjes së lëndëve narkotike.
Për këto shqetësime, Llalla garantoi se Prokuroria, si edhe institucionet e tjera ligjzbatuese, do të vijojnë shkëmbimin e informacionit me autoritetet belge, si edhe do të intensifikojnë hetimet për identifikimin dhe konfiskimin e pasurive në vendin tonë të shtetasve shqiptarë që janë të përfshirë në grupe kriminale në Belgjikë.
Nga ana tjetër, kryeprokurori garantoi homologun e tij se autoritetet e larta shqiptare po tregojnë një interes të lartë për luftën kundër narkotikëve. Si shembull konkret për këtë angazhim, Prokurori i Përgjithshëm përmendi në takim edhe faktin që “Këshilli i Sigurisë Kombëtare të Shqipërisë diskutoi pak ditë më parë për problematikën me narkotikët, nisur edhe nga një rast konkret, hetimi për të cilin ka nisur pikërisht nga autoritetet e Belgjikës”.
Gjithashtu, duke iu përgjigjur interesimit të Prokurorit Federal të Belgjikës, Llalla e informoi mbi ecurinë e procesit gjyqësor penal kundër ish-deputetit Mark Frroku, i cili akuzohet për një vrasje në Belgjikë dhe hetimi ndaj tij është zhvilluar nga ana e autoriteteve belge. (E.K/SHUPLAKA)