Një grup deputetësh, me iniciativën e deputetit të opozitës Lefter Maliqi kanë thirrur në interperlancë ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj në lidhje me situatën e rendit në vend.
Pas një serie pyetjesh të deputetit Maliqi ministri i Brendshëm është përgjigjur duke ironizuar ‘thirrjen me urgjencë të ministrit’ pasi sipas tij Shqipëria nuk ka parë parametra më të mirë të situatës së rendit dhe sigurisë publike në 2019-n krahasuar me të paktën 30 vitet e fundit
“Për të gjithë, sidomos të rinjtë dhe të rejat që shohin seancën e sotme nuk ka asgjë urgjente për këtë interperlancë. Zoti Maliqi unë nuk jam ministër i Rendit, ka një ndryshim të thellë konceptual. Unë jam ministër i Brendshëm. Përgjigjem dhe për rendin, pushtetin vendor, policinë dhe shumë e shumë gjëra të tjera.
Ju ngaqë nuk kishit letër bëtë një seri pyetjesh dhe do ti skipoj (e ka fjalën do ti kaloj) të gjitha këto që thatë dhe të përgjigjem për të gjitha pyetjet me shkrim. Po të isha pak cinik do të thoja që nuk përgjigjem sepse keni bërë pyetje konkluduese.
Nuk ka situatë të rëndë kriminaliteti në vend, po ka situatën më të mirë.
Më thoni si e keni matur ju, kur ne shifrat na thonë të kundërtën, publiku thotë të kundërtën?!
Situata e rendit në Shqipëri është në parametrat me të mirë historik, krimet e rënda, kultivimin e drogës, aksidentet rrugore dhe tregojnë sigurinë e rendit publik, ndër më të mirët në 30 vitet e fundit.
Mesatarja e vrasjeve në Shqipëri e 10 viteve të fundit është 85, jemi 30 më pak se mesatarja e 10 viteve të fundit.
Por ne mendojmë se jemi shumë larg pretendimeve për të pasur një rend më të mirë.
Vetëm për 2019-ën janë shkatërruar 24 grupe kriminale, dhe janë 26 raste të cilësuara si krime të rënda të dërguara para drejtësisë“, u shpreh Lleshaj në foltoren e Kuvendit të Shqipërisë.