Ministri i Brendshëm i komanduar Sandër Lleshi i ka nisur një letër presidentit Meta, ku i shpjegon statusin e tij si gjeneral. Letra është publikuar në Twitter nga ana e kryeministrit Edi Rama i cili shkruan si më poshtë:
Ja edhe kërkesa e zv.ministrit të brendshëm, Sandër Lleshi, për Presidentin e Republikës. Tani Presidenti është i lirë të zgjedhë intepretimin që do dhe në njërën rrugë a tjetrën, ta mbyllë procesin me dekretimin e ministrit të brendshëm, siç i’a kërkon Kushtetuta e Shqipërisë.
Lleshi shkruan në letrën e tij se ai ka hequr dorë nga karriera e tij ushtarake, që prej kohës kur ka qenë këshilltar pranë kryeministrit Rama, edhe pse me vendim gjykate ai fitoi të drejtën për t’u rikthyer si gjeneral pranë Forcave të Armatosura.
Lleshi shkruan se ai ka cilësinë e fituesit të gjyqit, po jo të ushatarakut aktiv, dhe se ai nuk ka përfituar asnjë nga të drejtat e dhëna me vendim gjykate të formës së prerë në vitin 2017.
Ministri i komanduar thotë më tej se ai shpreson që ngërçi kushtetues i krijuar të zgjidhet sa më shpejt, në të mirë të interesit të vendit.
Presidenti Meta i kërkoi prej datës 9 Nëntor informacione Ministrisë së Mbrojtjes lidhur me Lleshin, pasi Kushtetuta e thotë qartë se një ushtarak nuk mund të mbajë poste të tjera publike.
Pjese nga letra e Lleshajt:
Zoti President
Në gjithë këto vite të karrierës time si ushtarak kam shërbyer me dinjitet dhe devotshmëri në zbatimin e detyrimeve ligjore, morale si ushtarak dhe qytetar i Republikës së Shqipërisë.
Në funksionin tim politik, në fillim si këshilltar i kryeministrit dhe tashmë si zv/ ministër, gjithashtu kam zbatuar me përpikmëri detyrimet ligjore, etike, të funksionarit shtetëror dhe detyrimet e mia si qytetar i Republikës së Shqipërisë.
Me devotshmëri dhe përgjegjësi ligjore e qytetare pranova propozimin e kryeministrit për të mbajtur detyrën e ministrit të brendshëm me të gjitha vështirësitë dhe angazhimin profesional që mbart ky funksion, sidomos në këtë moment historik.
Me pranimin e këtij propozimi, i cili lidhet në mënyrë të pandashme me mos ushtrimin e funksionit të ushtarakut, unë kam vendosur edhe heqjen dorë nga karriera ime ushtarake, pavarësisht nga mundësia që vendimi i Gjykatës më ka dhënë. Konsideroj se zgjidhja e ngërçit kushtetues dhe emërimi me sukses i ministrit të Brendshëm, pavarësisht emrit të përveçëm të ministrit, është një interes madhor publik që prevalon mbi interesat e mia individuale.”
Me këtë përgjegjshmëri deklaroi me anë të kësaj letre se në cilësinë e gjyqëfituesit me institucionin që ju drejtoni dhe Ministrinë e Mbrojtjes, heq dorë plotësisht nga të gjitha të drejtat që burojnë nga zbatimi i vendimit numër 5137, datë 7.12.2017 i Gjykatës Administrative të Apelit
Një njoftim të njtëjtë zyrtar Lleshaj i ka dërguar edhe ministrisë së Mbrojtjes, në cilësinë e palës në gjykim, që në bazë të shkronjës “b” të nenit 616 të K.Pr. C të pushojë ekzekutimin e vendimit nr 2265 datë 23.05.2017 të gjykatës Administrative të shkallës së parë Tiranë, ndryshuar me vendimin nr 5137, datë 7.12.2017 të Gjykatës Administrative të Apelit.
Në intepretimin tim nuk ka pengesë ligjore për dekretimin tim nga ana Juaj, por mirëpres çfarëdolloj akti administrativ nga Juaj, apo e çdo organi përgjegjës të parashikuar nga ligji që do të qartësonte dhe do të vendoste pa asnjë keqkuptim se nuk jam më ushtarak aktiv, por i liruar nga shërbimi aktiv ushtarak me qëllim që të përmbushet funksioni i rëndësishmë kushtetues i emërimit të Ministrit të Brendshëm .
Lutem marrjen në konsideratë të kërkesës për heqjen dorë nga të drejtat që burojnë prej vendimit të sipërpërmendur.
(E.K/FAXWEB.AL)