Numri i llogarive bankare të individëve dhe kompanive jorezidente në Shqipëri arriti në më shumë se 60 mijë në fund të vitit të kaluar.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, numri i llogarive të jorezidentëve gjatë vitit 2023 u rrit me 20%. Numri i llogarive të jorezidentëve ka arritur nivelet më të larta historike dhe dominohet me llogaritë e individëve, me pothuajse 97% të totalit. Paralelisht, rritja e numrit të llogarive në vitet e fundit po shoqërohet edhe me rritje me ritme të larta të depozitave të jorezidentëve. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se vitin e kaluar depozitat e jorezidentëve në bankat tregtare shqiptare në fund të vitit 2023 arritën vlerën e 27.1 miliardë lekëve ose 260 milionë eurove. Krahasuar me një vit më parë, vlera e depozitave të jorezidentëve ka pësuar rënie me 2.5%. Megjithatë, kjo rënie është efekt i kursit të këmbimit dhe kryesisht i rënies së kursit Euro-lek. Në fund të vitit 2023, kursi i këmbimit Euro-Lek ishte në rënie vjetore me 9.1%, ndërsa pjesa dërrmuese e depozitave të jorezidentëve janë në monedhën europiane.
Depozitat e jorezidentëve janë një nga zërat që nuk përfshihen në përkufizimin e parasë së gjerë të ndjekur nga Banka e Shqipërisë në raportimin e statistikave. Rrjedhimisht, rritja e tyre nuk reflektohet në treguesin statistikor të depozitave të përfshira në paranë e gjerë, që përdoret përgjithësisht për të raportuar ecurinë e depozitave bankare me bazë mujore. Megjithatë, tendenca e depozitave të jorezidentëve tregon një rritje në periudhën pas pandemisë, në linjë me ecurinë e përgjithshme të depozitave në sektorin bankar. Pesha specifike e depozitave të jorezidentëve kundrejt totalit të depozitave bankare është e ulët, me rreth 1.7% të totalit të tyre. Në fund të vitit 2023, totali i depozitave në sektorin bankar shqiptar arriti vlerën e rreth 1.6 trilionë lekëve.
Depozitat e jorezidentëve në sektorin bankar shqiptar në të shkuarën kanë qenë kryesisht të lidhura me emigrantët, që një pjesë të kursimeve të tyre kanë zgjedhur t’i mbajnë në bankat shqiptare. Depozitat e jorezidentëve patën arritur nivelin më të lartë në fund të vitit 2014, për një shumë totale prej 24 miliardë lekësh. Gjatë viteve në vazhdim, vlera e depozitave të jorezidentëve pësoi një rënie graduale, duke zbritur në intervalin mes 13 dhe 14 miliardë lekëve para pandemisë. Por, në dy vitet e fundit, ecuria e depozitave ka një tendencë të dukshme në rritje dhe tashmë ka tejkaluar nivelet e vitit 2014. Kjo fazë përputhet edhe me një cikël të ri të rritjes së remitancave, që mund t’i atribuohet kryesisht valës së re të emigracionit të shqiptarëve në dekadën e fundit. Ky cikël i ri emigracioni po përfshin gjithnjë e më shumë të rinjtë e arsimuar, që po shfrytëzojnë nevojën për punë të specializuar në vende të ndryshme të BE-së.
Rritja e depozitave të subjekteve jorezidentëve mund të lidhet gjithashtu edhe me rritjen e investimeve të huaja dhe sidomos me shtimin e shtetasve të huaj që investojnë në pasuri të paluajtshme në Shqipëri. Blerja e një prone në Shqipëri, kryesisht me qëllimin e një shtëpie të dytë apo me qëllim investimi, shoqërohet edhe me një prani të shtuar në Shqipëri dhe me mbajtjen e fondeve në bankat tregtare shqiptare./ Revista “Monitor”