Prej disa ditësh marrëdhëniet mes Rusisë dhe Britanisë së Madhe janë tensionuar ndjeshëm, sidomos pas nxjerrjes në shesh të lojës me ‘’spiun”.
Shtëpia e Bardhë tha se solidarizohet me “aleatin e saj më të të ngushtë”, Britaninë e Madhe dhe e mbështet vendimin për dëbimin e 23 diplomatëve rus, shkruan ‘’Bbc”.
Kryeministrja britanike Theresa May tha se diplomatët do të dëboheshin pasi Moska refuzoi të shpjegonte sesi një agjent nervor rus u përdor ndaj një ish-spiuni në Britaninë e Madhe.
Moska nga ana tjetër vazhdon të mohojë çdo lloj përfshirjeje në sulm.
Zëdhënësja e presidentit amerikan Donald Trump akuzoi Rusinë se po minon sigurinë e vendeve në mbarë botën.
Redaktorii i BBC në Amerikën e Veriut, Jon Sopel, tha se deklarata e Shtëpisë së Bardhë ishte dukshëm një mbështetje e pakushtëzuar që i jepej Theresa May. Ai tha se ishte edhe domethënëse për mënyrën sesi presidenti Trump foli për Rusinë – duke përdorur gjuhën që nuk ishte dëgjuar të flitej më parë nga Shtëpia e Bardhë.
Në deklaratë, Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders, tha se SHBA dëshironin të siguroheshin “se ky lloj sulmi i neveritshëm nuk do të përsëritej më”. Ajo e konsideroi dëbimin e diplomatëve rusë nga Britania si “një përgjigje të drejtpërdrejtë”.
“Ky veprim i fundit i ndërmarrë nga Rusia përputhet me atë linjë sjelljeje në të cilën Rusia shpërfill rendin e bazuar në rregullat ndërkombëtare, minon sovranitetin dhe sigurinë e vendeve në mbarë botën dhe përpiqet të shkatërrojë dhe të diskretitojë proceset dhe institucionet demokratike perëndimore,” tha ajo.