Nëse je aktiv me marrjen e informacioneve në vend, ajo shprehja me kapjen e peshqve të mëdhenj, ka disa muaj që flitet e stërflitet dhe nga ana tjetër të vetmin ‘’peshk” që kërkonte drejtësia që ta hetonte Saimir Tahirin, mazhoranca e mbron duke mos dhënë autorizimin për arrestimin e tij.
Nga ana tjetër ambasadori amerikan Donald Lu në daljen e tij publike sot foli për peshq të mëdhenj që do të kapen duke vendosur si afat fillimin e vitit të ardhshëm, ai përmendi emrat e Arben Ndokës, Mark Frrokut, Gentian Muhametit dhe Elvis Rroshit, po jo kurrsesi nuk foli për Tahirin.
Task Forcën e lançoi kryeministri Rama që në komunikimin e tij javor të së dielës, edhe pse sot vetë nuk ishte i pranishëm, mbështetjen e dha përmes ‘’facebook”-ut.
”Nesër qeveria e Shqipërisë do të mblidhet për të garantuar ngritjen e një Task-Force Speciale në Policinë e Shtetit. (Rama flet në emër të Policisë së Shtetit?! A nuk duhet të ishte drejtori i saj?!)
Kjo strukturë e re anti-krim do të marrë përsipër operacionin më të strukturuar, më intensiv dhe më afatgjatë, në historinë e këtyre 27 viteve, kundër krimit të organizuar.
Një pjesë e planit të këtij operacioni të emërtuar ”Forca e ligjit” do të jetë sekret dhe nuk do të ndahet me askënd, përveçse me agjencitë ligjzbatuese kombëtare dhe ato ndërkombëtare, që do të përfshihen si partnere në radhët e këtij operacioni, natyrisht nuk do të jetë sekret as emri i operacionit policor për konceptimin dhe hartimin e të cilit është punuar prej 3 muajsh, as ambicja jonë për të çuar para drejtësisë (Qeveria çon para drejtësisë?! Qeveria merr rolin e policisë dhe prokurorisë?!) me forcën e ligjit, elementët e grupet kriminale të skeduara si shenjestrat e Task Forcës Speciale”, deklaronte Rama të dielën. https://faxweb.al/ceshte-kjo-ide-e-re-e-kryeministrit-tone-task-forca-speciale-sipas-rames/amp/
‘’ Prezantohet Operacioni Policor Forca e Ligjit dhe Task Forca Speciale e Policisë së Shtetit kundër Krimit të Organizuar, e cila do të asistohet në terrenin e kësaj faze të re të luftës me krimin, nga agjentë të FBI dhe të disa agjencive prestigjoze kundër krimit në Gjermani, Itali dhe Britaninë e Madhe – LUFTA ME KRIMIN NUK ËSHTË LOJË POLITIKE dhe mes qeverisë që lufton krimin e atyre që luajnë politikisht e mediatikisht me krimin për baltosjen e qeverisë, dallimi është i qartë: Nga LUFTA fiton Shqipëria dhe njerëzit e zakonshëm të saj. Ndërsa nga LOJA ziejnë kazanet e politikës e të medias që helmojnë papushim opinionin për hesape mizerabël, politike e financiare, por EDHE PËR TË PENGUAR DREJTËSINË E RE që po vjen”, shkruan Rama disa minuta pas fjalimit të LU-së ditën e sotme.
Pra më shumë sesa aksioni, në mendje të mbetet loja me fjalët… që përsëriten e përsëriten pa pushim, ndërkohë që shqiptarët presin drejtësi.
(E.K/FAXWEB)