Ekipi i Teutës ka arritur të shpallet kampione e Shqipërsë pas 27-vitesh.
Durrsakët e mbyllën me 66 pikë kampionatin, po aq sa dhe ekipi i Vllaznisë, por titulli kampion i takon atyre falë golavarazhit. Teuta mposhti në ndeshjen e fundit 6-1 Apoloninë, ndërkohë që Vllaznia mposhti me rezultatin 2-0 Laçin.
Në një duel mes katër ekipeve deri në javën e fundit edhe pse dy prej tyre vetëm matematikisht, Teuta arriti t’i rezistojë presionit të tabelës. Një sukses i Martinit në stol, që në vitin më të rëndësishëm të karrierës së tij u detyrua të luftojë dhe kundër zemrës dhe Vllaznisë.
Një sukses padyshim i Dejvi Bregut, blerjes më të rëndësishme të verës së shkuar, që me golat dhe “Këpucën e Artë” përligji investimin duke hyrë përfundimisht në historinë e këtij klubi. Triumfi i dinastisë Vila, me Emiljanon dhe Lorencon, por dhe merita e një mbrojtjeje “dryn” falë Rustem Hoxhës dhe Renato Arapit.
Mbi të gjitha ishte suksesi i një presidenti karizmatik si Hasanbelliu, por dhe atyre që e mbështetën në kërkim të një titulli që dukej i pamundur dhe që vetëm ata e panë në horizont.
Në një prej sezoneve më të luftuar në historinë e Superiores, Teuta ja doli, të rikthehet në fron, të fitojë Superioren dhe të rrëmbejë në fund titullin e kampionatit, që ashtu si 27 vjet më parë, u fitua javë pas jave, duke mos u dorëzuar asnjëherë deri në fund, për suksesin në fotofinish. Teuta nga tani e mbrapa do të njihet dhe njëherë si “mbretëresha” e Shqipërisë.