Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka folur sot në mbledhjen e Komitetit Drejtues Kombëtar ku ka folur mbi aksionin opozitar dhe protestat që do të vijojnë në të gjithë vendin. Kryemadhi thotë se beteja e PD dhe LSI nuk është më për të zgjedhur se kush do të jetë lideri më i fortë, po për të dëgjuar më shumë zërin e qyetetarëve.
Ndërkohë që Kryemadhi i është përgjigjur dhe akuzave të Ramës të bëra në Kuvend, kur thotë se LSI nuk është më ajo e kohës së Ilir Metës, dhe nuk do të ketë më qetësi dhe dashuri.
‘’Meqenëse se ka merak shumë të madh për Lëvizjen Socialiste për Integrim, po ja bëjë të qartë që Lëvizja Socialiste për Integrim nuk është më e kohës kur kishte Ilir Metën kryetar partie, që kishte hallin e stabilitetit dhe qetësisë dhe të dashurisë.
Dashuria dhe qetësia me kriminelin ka mbaruar, dashuri dhe qetësi me kriminelin nuk ka, dashuri dhe qetësi me atë njeri që ka veshur me të zeza nënat e shqiptarëve për djemtë e tyre të humbur, për fëmijët e tyre të vrarë ne Kolumbi dhe në gjithë Amerikën e Jugut si peng i kontenierëve të drogës që vijnë në Shqipëri, do të mbarojë.
E dimë që është e vështirë, e dimë që është me probleme por ne nuk do të ndalemi. Mund të ndalen burrat, por nuk i kanë mbaruar gratë këtij vendi, kështu që ta ketë të qartë Edi Rama dhe kush do tjetër që do ti shkojë nga pas Edi Ramës, të mos guxojë të cënojë asnjë gjë të shqiptarëve sepse nuk do të jetë përballja ligjore por do të jetë personale, individuale se nuk ka për ta falur asnjë njeri të ardhmen e fëmijëve të tij kudo që është.
Ia bëj të qartë Edi Ramës dhe të gjithë banditëve të tij, që të ketë kujdes se katër bandat e tij përballë milionave të shqiptarëve janë shumë të vogla, por të mos harrojë dhe një gjë, që në çdo shtëpi të shqiptarëve e ka një luftëtar që di të marrë shenjë aty ku është për t’u marrë”, u shpreh mes të tjerash Kryemadhi.
Fjala e plotë e Kryemadhit:
Përshëndetje. Në fakt ishte i domosdoshëm takimi i sotëm dhe përveç se është e domosdoshme si mbledhje e një strukture të Komitetit Drejtues Kombëtar të LSI-së, duke pasur parasysh që dy ditë më parë u nënshkrua marrëveshja e koalicionit opozitar. Gjë që është nje element shumë i rëndësishëm në të gjithë axhendën tonë politike gjatë gjithë kësaj periudhe. Tashmë jemi shumë të qartë në rrugën tonë, profesor Rrokaj e tha pak më përpara por edhe në çdo ligjëratë tonën, politike apo mediatike të të gjithë drejtuesve të LSI-së, apo dhe të gjithë ish-deputetëve, të cilët për hir të së vërtetës nuk janë ish deputetë, por janë deputetët e vërtetë për të cilët ka nevojë sot Shqipëria.
Dëgjojmë ligjëratë të thjeshtë që shkrirja jonë njësh me popullin nuk do të thotë që është thjesht një lojë politike, nuk do të thotë që është thjesht një skemë politike, por është një veprim përfundimtar, moral që klasa politike shqiptare ka nevojë për t’iu ofruar sot të gjithë qytetarëve Shqipërisë, të gjithë Shqipërisë dhe të gjithë jetës tonë politike për të mbyllur këtë tranzicion 30 vjeçar të një politike tranzitore, të një politike momentale, të një politike që për hir të së vërtetës në këto 30 vite tranzicion të Shqipërisë nuk ka prodhuar gjë tjetër, por kemi prodhuar vetëm një ashensor politik që ngre grupe të caktuara politikanësh nga bodrumi në penthouse dhe nga penthouse në bodrum. Tashmë mendoj që ky ashensor dhe kjo godinë nuk duhet të ekzistojë më. Duhet të jetë një sistem përfundimtar që garanton barazi dhe drejtësi për njerëzit.
Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë që do të jenë qytetarët shqiptarë ata që do të vendosin për fatin e politikanëve shqiptarë dhe jo politikanët shqiptarë që do të vendosin për fatin e shqiptarëve. Do të jenë qytetarët shqiptarë ata që do të vendosin për fatin e partive politike dhe jo partitë politike që do të vendosin për fatin e qytetarëve shqiptarë.
Ne si LSI në të gjitha takimet tona jemi shumë të qartë, qoftë me aleatët tanë opozitarë, qoftë me partnerët ndërkombëtarë. Beteja jonë nuk është më për liderin. Nuk kemi nevojë më për lider të fortë, kemi nevojë për sistem të fortë. Kemi nevojë për një sistem që u garanton shqiptarëve barazi dhe që u garanton shqiptarëve integritet dhe besueshmëri. Kemi nevojë për një sistem që rikthen shpresën tek të rinjtë shqiptarë. Kemi nevojë për një sistem çdonjëri prej nesh është i barabartë përballë sistemit të drejtësisë, sistemit arsimor, sistemit shëndetësor, Policisë së Shtetit dhe çdo gjëje tjetër.
Marrëveshja jonë me opozitën dhe me partitë e tjera opozitare është shumë e qartë. Qeveri tranzitore që garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme. Jo qeveri tranzitore që garanton parti politike, por qeveri tranzitore që garanton qytetarët shqiptarë që janë të lirë të zgjedhin atë politikan apo atë parti politike që ata duan ti drejtojë. Nëse ne nuk zgjidhim këtë problem kryesor që në 30 vjet shqiptarët e kanë pasur në kurriz ne nuk kemi zgjidhur asgjë. Dhe kjo marrëveshje për hir të së vërtetës ku bëhen bashkë mbi 60% e votuesve shqiptarë do të thotë që është shumica e shqiptarëve. Pa llogaritur ata socialistë të zhgënjyer të cilët për hir të frikës dhe angazhimit të tyre në institucionet shtetërore nuk janë hapur apo drejtpërdrejt të deklaruar për këtë proces.
Për sa i përket faktorit ndërkombëtar ne ia kemi bërë shumë të qartë dhe jemi përsëri të palëkundur në qëndrimin tonë. Kërkojmë zgjedhje të lira dhe të ndershme, një sistem të fortë, një sistem të barabartë për çdo qytetar. Çështja e precedentit që dëgjoni, të manipuluar herë pas here në media të cilat janë të kapura ka vetëm një precedent. Që jemi i vetmi vend në botë që më shumë se 2 vjet është pa Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykatë të Lartë. Jemi i vetmi vend në botë ku pronar i një shteti nuk është sistemi por një kryeministër.
Dhe në këtë moment sigurisht që askush nuk mund të bëhet dot palë, kushdo qoftë, me një rast të tillë që është i paprecedent në çdo vend të botës. Për sa i përket angazhimeve tona ne do të jemi në kontakt të vazhdueshëm më njëri tjetrin ku lëvizja ime si Kryetare e LSI por jo vetëm e imja dhe e Kryesisë ekzekutive, të cilët do ti shikoni më shpesh se çi keni parë kohët e fundit nëpër rrethe, do të jetë e pandalshme. Jo për të bërë takime dhe mitingje të mëdha por për të takuar njerëzit dhe për tu sqaruar. Njerëzit e LSI duhet të zgjohen nga gjumi jo duke ndenjur me njeri tjetrin se unë nuk kam nevojë të bind Erisa Xhixhon, as Nora Malaj, as Profesor Panaritin.
Duhet të takojmë njerëzit të cilët kanë qenë viktima të makinerisë së propagandës së Edi Ramës, të cilët nuk e dinë se çfarë ka bërë LSI. Të cilët nuk e dinë rolin e LSI në 8 vite qeverisje të saj. Edhe pse ne artikulojmë mediatikisht, ne duhet t’u bëjmë të qartë që roli i LSI në qeverisjen me PS ka qenë domethënës që Shqipëria të marrë statusin e kandidatit për BE dhe për hapjen e negociatave. Ka qenë vendimtar angazhimi i LSI. Ka qenë vendimtar roli i LSI për frenimin e korrupsionit në radhët e qeverisjes socialiste. Ka qenë vendimtar roli i LSI për gjobat dhe tmerret që ka bërë Rilindja ndaj biznesit. Ka qenë vendimtar roli i LSI për lirinë e medias.
Mjafton vetëm të lexoni raportet në 2 vjet të qeverisjes së rilindjes së Edi Ramës, e keni me 9 vende të rënë për korrupsion. 11 vende për lirinë e medias. Për lirinë e ekonomisë, 17 vende, e kështu me radhë. Nuk po flasim më për krimin e organizuar dhe nuk po flasim më për angazhimin dhe korrupsionin e strukturave te organizuara korruptive, grabitëse të pronave të shqiptarëve.
Ka qenë Lëvizja Socialiste për Integrim, që në një mënyrë të caktuar apo dhe efektive, nuk ka lejuar kurrë që me gaz lotsjellës të nxirren banorët nga shtëpitë e tyre. Në shtëpitë të cilat kanë 30 vjet që jetojnë dhe i kanë paguar taksat dhe çdo detyrim shtetit shqiptar. Shteti shqiptar nuk është pronë e Edi Ramës e as e rilindjes. Shteti shqiptar është pronë e shqiptarëve. Dhe ky angazhim i yni , si Lëvizja Socialiste për Integrim, është për ti thënë Edi Ramës dhe kujtdo tjetër që i shkon në mëndje që të bëhet si Edi Rama, Shqipëria është e shqiptarëve. Shqipëria nuk është e një grupi prej 5 njerëzish dhe një individi të caktuar.
Tashmë kam dhe një mesazh për Edi Ramën. Nga parlamenti i LSI, se ju jeni parlamenti i LSI dhe takimet që do të bëjmë me gjithë shqiptarët, është parlamenti i Shqipërisë. Meqenëse se ka merak shumë të madh për Lëvizjen Socialiste për Integrim, po ja bëjë të qartë që Lëvizja Socialiste për Integrim nuk është më e kohës kur kishte Ilir Metën kryetar partie, që kishte hallin e stabilitetit dhe qetësisë dhe të dashurisë. Dashuria dhe qetësia me kriminelin ka mbaruar, dashuri dhe qetësi me kriminelin nuk ka, dashuri dhe qetësi me atë njeri që ka veshur me të zeza nënat e shqiptarëve për djemtë e tyre të humbur, për fëmijët e tyre të vrarë ne Kolumbi dhe në gjithë Amerikën e Jugut si peng i kontenierëve të drogës që vijnë në Shqipëri, do të mbarojë.
E dimë që është e vështirë, e dimë që është me probleme por ne nuk do të ndalemi. Mund të ndalen burrat, por nuk i kanë mbaruar gratë këtij vendi, kështu që ta ketë të qartë Edi Rama dhe kush do tjetër që do ti shkojë nga pas Edi Ramës, të mos guxojë të cënojë asnjë gjë të shqiptarëve sepse nuk do të jetë përballja ligjore por do të jetë personale, individuale se nuk ka për ta falur asnjë njeri të ardhmen e fëmijëve të tij kudo që është. Ia bëj të qartë Edi Ramës dhe të gjithë banditëve të tij, që të ketë kujdes se katër bandat e tij përballë milionave të shqiptarëve janë shumë të vogla, por të mos harrojë dhe një gjë, që në çdo shtëpi të shqiptarëve e ka një luftëtar që di të marrë shenjë aty ku është për t’u marrë.
Akoma nuk ka filluar ajo që ai mendon se ka filluar. Revolta e shqiptarëve akoma nuk ka filluar. Nuk ka filluar sepse akoma nuk ka vajtur thika në palcë për politikanët si puna ime dhe si puna jonë këtu. Po për shqiptarët që nuk kanë bukë të hanë është akoma më keq situata dhe shpërthimi i tyre nuk do të jenë as ambasadat e huaja, as anijet e ’90 që ikën në Europë, por do të jetë Edi Rama dhe bandat e tij dhe do të jenë bazat kriminale të Edi Ramës ku janë kthyer në laboratore të drogës dhe të krimit të organizuar. Prandaj teatrin e kukullave që na ofron atje në Parlament ta ketë më të kujdesshëm. Sepse biletat i shpërndan falas, por nuk ja fal njeri gjakun, djersën dhe mundin e votave të LSI-së. Partia Demokratike flet vetë për votat e saj, ne flasim për votat tona. Dhe ky është një mesazh për të gjithë ata që do të marrin mundimin dhe guximin që të cënojnë votën e shqiptarëve, integritetin e tyre dhe dinjitetin e shqiptarëve.
Sot më shumë se kurrë detyra jonë është për të takuar qytetarët. Më pas gjëra të tjera dhe më të mira dhe më të bukura do të vijnë, sot ne në mbledhjen e KDK-së do të marrim edhe vendimin për mbledhjen e Konventës Kombëtare. Sepse mendoj që ne si LSI mbas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare, të cilat do të jenë shumë shpejt, meqenëse kishte merakun e fallit Edi Rama. Do të jenë zgjedhjet dhe ne duhet të përgatitemi të gjithë. Kandidatët për deputetë në lista do të dalin nga strukturat e LSI-së, nuk do t’i vendosë më kryetari dhe as kryetarja e KSI-së. Pra çdo strukturë partiake e të 12 qarqeve do të futen në proces 1 anëtar 1 votë për zgjedhjen e kandidatëve, jo vetëm për kandidatët për deputetë, por edhe për kandidatët për këshillat bashkiakë apo dhe për kandidatë për kryetar bashkie.
Prandaj ky proces është shumë i rëndësishëm për evidentimin e strukturave të partisë dhe zgjimin e strukturave të LSI-së . Për çdo qendër votimi organizatat tona të verifikohen edhe njëherë dhe jam e bindur që jo vetëm që janë shtuar anëtarësia por edhe ata anëtarë partie të cilët janë kërcënuar për shkak të vendit të punës do të jenë më aktiv se ç’mund të kenë qenë më para. Ndërkohë nga ana tjetër mbas zgjedhjeve parlamentare që do të jenë,ne do të shkojmë drejt zgjedhjeve të kryetarit të partisë me një anëtar një votë dhe zgjedhjeve të kryetarëve të partisë ne gjithë Shqipërinë në 61 bashki me një anëtar një votë, ku është e domosdoshme për të rikthyer dhe njëherë besimin tek anëtari i partisë, besimi tek strukturat e partisë sepse nuk ka më pushtet në dorën e deputetit, nuk ka më pushtet në dorën e kryetarit.
Pushteti do të qëndrojë tek anëtari i partisë dhe pushteti i anëtarit të partisë do të qëndrojë tek qytetari dhe tek shërbimi që anëtari i LSI-së do u bëjë qytetarëve të tyre. Sfida jonë nuk është që t’i japim forcë njëri-tjetrit , sfida jonë është që ti japim forcë qytetarëve, sfida jonë është që t’u japim besim qytetarëve. Sfida jonë është që t’jua kujtojmë qytetarëve që LSI-a i mban njerëzit e saj, që LSI-a e mban fjalën, që LSI-a do ta mbajë fjalën dhe do t’ju shërbejë qytetarëve. Kjo është e vetmja mënyrë për të zgjuar atë ndjenjë vlerësimi për qytetarët tanë sepse nëse ne do të ngelemi peng i bërjes së qejfit të njëri tjetrit, nëse ne do të ngelemi peng i ligjeve të shkruara, të zezë mbi të bardhë, të jeni të bindur që nuk do të jemi më ata që kemi qenë, por do të bëjmë prapë gabimin e radhës që do të lejojmë një kryeministër si Edi Rama i cili do marri peng të ardhmen e shqiptarëve. Mëkatin e 2013 ne duhet ta shlyejmë duke mos ndaluar asnjë sekondë për të bindur qytetarët që të kthejmë demokracinë, që të kthejmë pluralizmin politik në Shqipëri, që të kthejmë vlerat e demokracisë për të cilat kanë nevojë. Faleminderit!
Discussion about this post