Debatik Curri del në pension nga futbolli, por nuk largohet nga klubi i Prishtinës. Ish-mbrojtësi i kombëtares shqiptare vendosi t’i “varë këpucët në gozhdë” në moshën 34-vjeçare, por do të jetë krahu i djathtë i Mirel Josës te klubi i kryeqytetit Kosovar. Pra, Curri do të ketë rolin e ndihmëstrajnerit te Prishtina.
Kujtojmë se Debatik Curri e nisi karrierën si futbollist profesionist te Prishtina, ku u bë i njohur në vitet 2003-2004, derisa ra në sy dhe u përfshi në Shqipëria U-21, fillimisht, e pastaj me kombëtaren e madhe kuqezi. Në rang klubesh, Curri e pati kulmin e karrierës te Vorskla Poltava, në Ukrainë (ku luajti 4 sezone, bashkë me Armend Dallkun).
Ai është aktivizuar për tri sezone te Genclerbirligi në Turqi, më pas te Hoverla Uzhhorod e Sevastopol në Ukrainë, Tirana e Flamurtari në Superligën Shqiptare, për ta mbyllur karrierën pikërisht aty ku e nisi, te skuadra e zemrës, Prishtina.
Debatik Curri ka luajtur 44 ndeshje me kombëtaren shqiptare, duke shënuar edhe një gol të bukur kundër Holandës, në “Amsterdam Arena”.