Nënkryetari i LSI-së Luan Rama sqaron shkarkimin e ministrit të Drejtësisë Ylli Manjani.
I ftuar në emisionin “Top Story” të gazetarit Sokol Balla, Rama e pranon faktin se midis Manjanit dhe Kryeministrit ka patur konflikte.
“Nuk ka ndonjë gjë për t’u çuditur sepse gjithçka ndodhi në sy të publikut, dhe qeverisja ka dhimbjet e veta, uljet e veta, megjithatë ekziston vullneti për të parë ato vlera fondamentale.
Nuk e shoh bardhë e zi, as si akt personal as si krizë e koalicionit shkarkimin e ministrit.
Është e vërtetë se midis kryeministrit dhe Manjanit ka patur kontradita këto kohët e fundit, është e qartë se diçka nuk ka funksionuar siç duhet.
Është edhe një sfidë që u zgjidh pikërisht për shkak të një roli të caktuar të LSI-së. S’jam dakort se shkarkimi ka të bëjë me reformën e drejtësisë, sepse manjani ka qënë i pari që ka luajtur një rol të veçantë për zbatimin e reformës.”, shprehet nënkryetari i LSI-së.
Luan Rama flet edhe për sulmet e Manjanit dhe të tjerëve zyrtarë të LSI-së ndaj ministrit të Punëve të Brendshme Saimit Tahiri.
“Nuk ka asnjë sulm ndaj Tahirit, nuk ka asnjë sulm ndaj Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit. Ka raste kur deputetë kanë raportuar një abuzime që kanë konstatuar, të cilët kanë reaguar edhe emocionalisht.
Nëse një ministër del dhe thotë se është mbytur vendi nga kanabisi, nuk thotë asgjë më pak se aktet e policisë të cilët raportojnë vazhdimisht se po korrin kanabis.”, shton Rama.