Deputeti i LSI-së Luan Rama është shprhur se skandali i rradhës ështës e kryeministri ka marrë nën kontroll dhe monitorim sistemin e drejtësisë. Ai ngre pyetjen pse hesht EURALIUS ?
“Ndërkaq, është e habitshme heshtja e misionit EURALIUS-it për këtë çështje!… Sepse gjatë gjithë diskutimit e miratimit të reformës në drejtësi, qëndrimi i tyre ka qënë parimor dhe në kundërshti të plotë me atë, që është vendosur nga qeveria me VKM-në e 22 nëntorit 2017!”, shprehet Luan Rama.
REAGIMI I PLOTË:
Skandali i rradhës: Kryeministri merr nën kontroll dhe monitorim sistemin e drejtësisë !
Përse hesht EURALIUS ?
Fakti:
Më 22 nëntor 2017, pra pak më shumë se një muaj më parë, Këshilli i Ministrave (kupto: Kryeministri sepse aty askush nuk flet e komenton, pa le më të kundërshtojë ndonjëri!), ka miratuar një vendim, dhe konkretisht VKM Nr.673 “Për riorganizimin e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit”.
Në pikën 1 të këtij vendimi thuhet qartë se:
“Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, më poshtë AKSHI, është institucion publik qendror, person juridik, me seli në Tiranë, në varësi të Kryeministrit”.
Ndërkaq, në kapitullin III të këtij vendimi ku bëhet fjalë për funksionimin dhe organizimin e kësaj agjencie (AKSHI), në pikën 9 thuhet:
“AKSHI është administrator i çdo sistemi TIK që ka si përdorues institucionet apo organet e administratës shtetërore nën përgjegjësinë e Këshillit të Ministrave, sipas listës nr. 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi”.
Por në listën Nr.2, që i bashkëlidhet vendimit, nuk gjenden vetëm ato sisteme IT që i përkasin ligjërisht administratës, por gjenden dhe kalojnë nën përgjegjësine e AKSHI-t, pra të Kryeministrit, edhe sistemet elektronike që aktualisht ndodhen de fakto në Ministrinë e Drejtësisë dhe që me ligj duhet t’i kalojnë Këshillit të Lartë Gjyqësor, ndërkohë që me VKM i kalojnë Kryeministrit.
Për të qenë të qartë për publikun, Kryeministri tashmë do të jetë administrator me të drejta të plota edhe në këto dy sisteme IT :
1.Sistemi i menaxhimit të çështjeve të gjyqësorit (ICMIS).
2. Sistemi i menaxhimit të çështjeve të gjyqësorit (ICMIS) në Gjykatat Administrative.
Kundërshtia me ligjin:
Sistemet Elektronike në Sistemin Gjyqësor dhe kryesisht ai i Menaxhimit të Cështjeve në Gjykata, ICMIS apo sistemi i regjistrimit audio-vidio, kanë qenë deri tani në administrim të Ministrisë së Drejtësisë, apo Zyrës së Administrimit të Buxhetit Gjyqësor.
Me reformën në sistemin e drejtësisë dhe ligjet e miratuara, të gjitha sistemet duhet të kalojnë respektivisht pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor, për ato që janë në funksion të gjyqësorit, dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë për ato sisteme në funksion të Prokurorisë.
Mbi këtë qasje, u miratuan ligjet e reja dhe u ndryshuan shumë ligje, për të shmangur cdo lloj kontrolli dhe mbikqyrjeje nga qeveria të këtyre organeve dhe punës së tyre.
Në ligjin nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, në nenin 92, ku flitet për sistemin elektronik të teknologjisë së informacionit, thuhet se :
“1. Këshilli i Ministrave miraton rregulla për politikat e përgjithshme shtetërore për sistemin e teknologjisë së informacionit për sistemin e drejtësisë, që ndër të tjera parashikojnë:
- a) masat mbrojtëse, të cilat sigurojnë vetëm akses të organeve të sistemit të drejtësisë, përveç rasteve kur të dhënat janë me natyrë statistikore ose kur parashikohet ndryshe në ligj;
- b) sigurimin e aksesit të plotë të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë në të dhënat që përmbajnë të gjithë sistemet e teknologjisë së informacionit në lidhje me Këshillin e Lartë Gjyqësor, gjykatat, Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe zyrat e prokurorisë;
- c) garantimin e mbrojtjes së të dhënave personale dhe konfidencialitetin, si dhe mundësinë e çdo personi për të pasur një proces të rregullt gjyqësor ose mundësinë e një autoriteti publik për kryerjen e një hetimi penal;
ç) për organizimin dhe funksionimin e qendrës së teknologjisë së informacionit për sistemin e drejtësisë pranë njërit prej institucioneve të drejtësisë dhe të përcaktojë kompetencat saj.
- Në përputhje me politikat e përgjithshme në fushën e teknologjisë dhe sigurisë së informacionit, Këshilli i Lartë Gjyqësor, në bashkëpunim me qendrën e teknologjisë së informacionit për sistemin e drejtësisë është përgjegjës për:
- a) zhvillimin ose pjesëmarrjen në zhvillimin e sistemit elektronik të teknologjisë së informacionit për përdorim në gjykata;
- b) menaxhimin, koordinimin, monitorimin dhe mbikqyrjen e përdorimit të teknologjisë së informacionit në gjykata;
- c) përcaktimin e sistemit të zbatueshëm të sistemit elektronik të teknologjisë së informacionit të çështjeve dhe kujdeset që sistemi të përdoret në çdo gjykatë;
ç) përcaktimin e rregullave për funksionimin, dhe sigurinë e sistemit elektronik të menaxhimit të çështjeve dhe për mbrojtjen e të dhënave personale të përdorura dhe të ruajtura nga sistemi;
- d) mirëmbajtjen e sistemit elektronik të teknologjisë së informacionit të çështjeve, në përputhje me rregullat e parashikuara në shkronjën “b” të këtij neni;
- dh) ofrimin e asistencës teknike për gjykatat në përdorimin e sistemit elektronik të menaxhimit të çështjeve;
- e) përmirësimin periodik të sistemit, për të siguruar zbatimin e kërkesave funksionale të gjykatave, të vetë Këshillit dhe të organeve të tjera brenda sistemit të drejtësisë, si dhe për të reflektuar ndryshimet në ligjet procedurale;
ë) sigurimin e saktësisë dhe sigurisë së të dhënave dhe mbrojtjen e të dhënave personale;
- f) garantimin që sistemi elektronik i teknologjisë së informacionit të të dhënave gjeneron informacione statistikore, të cilat janë të nevojshme për punën e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të organeve të tjera dhe që përputhen me standardet europiane për treguesit e punës së gjyqësorit, të tilla si norma e evadimit të çështjeve, numri i çështjeve për gjyqtar, kohëzgjatja mesatare e çështjeve dhe kohëzgjatja e çështjeve në proces në raport me kohëzgjatjen mesatare etj.;
- g) përcaktimin e rregullave për përdorimin e detyrueshëm të sistemit elektronik të menaxhimit të çështjeve, njësimin e futjes së të dhënave dhe për saktësinë e të dhënave.
Ndërsa në pikën 5 të nenit 277, të po këtij ligji, thuhet shprehimisht:
“Jo më vonë se 1 muaj nga krijimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor, sistemet aktuale të teknologjisë së informacionit, përfshirë edhe kontratat në fuqi për mirëmbajtjen dhe zhvillimin e këtyre sistemeve, si dhe çdo dokument tjetër teknik ose juridik kalojnë në dorëzim dhe përgjegjësi të Këshillit nga drejtoria përgjegjëse e Ministrisë së Drejtësisë. Këshilli i Lartë Gjyqësor bëhet palë në kontratat ekzistuese ex lege”.
Përfundimi:
Siç mund të konstatohet lehtë prej kujtdo që di të lexojë e të kuptojë atë që lexon, ligji nuk le asnjë ekuivok, por qartë e në mënyrë të kuptueshme, përcakton autoritetin mbi sistemin elektronik të teknologjisë së informacionit të çështjeve. Në kundërshtim me Ligjet e Reformës në Sistemin e Drejtësisë, të cilat vendosën që sistemi i drejtësisē, përkatësisht edhe gjyqësori do të duhet të jetë jashtë ndikimit të qeverisë, Kryeministri me vendim të qeverisë së tij, vendos që këto sisteme kalojnë nën varësinë, nën kontrollin dhe monitorimin e tij.
Ky vendim i Qeverisë është një akt flagrant, dhe në kundërshtim me ligjet e miratuara nga Kuvendi për reformën në sistemin e drejtësisë;
Është skandali i rradhës i një qeverie skandalesh, që po bën të gjitha përpjekjet për kapjen, intimidimin, nënshtrimin dhe shpërdorimin e drejtësisë, në kundërshtim me parimet dhe frymën e reformës në drejtësi!
Ndërkaq, është e habitshme heshtja e misionit EURALIUS-it për këtë çështje!…
Sepse gjatë gjithë diskutimit e miratimit të reformës në drejtësi, qëndrimi i tyre ka qënë parimor dhe në kundërshti të plotë me atë, që është vendosur nga qeveria me VKM-në e 22 nëntorit 2017!
Por, a do të vazhdojnë të heshtim edhe më tej ?…
Shënim: VKM-në nr. 673 datë 22 nëntor 2017 për të cilin bëhet fjalë në këtë shkrim, e gjeni të botuar në Fletoren Zyrtare nr. 209.
(J.V/Faxweb)