Nënkryetari i Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim Luan Rama, u bën thirrje për transparencë partive politike.
Ai ndodhet në Sarajevë të Bosnje Hercegovinës, ku sot ishte i pranishëm në Forumin “Integriteti i Partive politike”.
Gjatë këtij forumi, nënkryetari i LSI-së foli për financimin e partive politike dhe për transparencën. Sipas tij, transparenca është dëshmi e integritetit të partive.
“Transparenca e financimit të partive është dëshmi e integritetit të tyre. Transparenca nga ana e saj rrit integritetin, dhe po ashtu integriteti ushqen transparencë. LSI-ja është model i transparencës së financimit të partisë,” deklaroi Rama.
Ndër të tjera Rama foli edhe mbi korrupsionin, i cili sipas tij ishte gjithashtu pjesë e strukturave partiake dhe jo vetëm atyre shtetërore.
“Korrupsioni nuk është vetëm në strukturat shtetërore, por edhe në ato partiake. Zbatimi i ligjit, integritetit dhe transparenca është kusht për të rritur besimin tek partitë,” shtoi nënkryetari i LSI-së. (D.D/Shuplaka)