Analisti Fatos Lubonja në një shkrim të publikuar tek gazeta “Panorama” ka komentuar promovimin e portalit ‘Shqipëriaqëduam.al’, nismën e qeverisë për të zgjidhur ankesat përmes portalit, dhe çështjen e pallatit të vjehrrit të kreut të PD-së Lulzim Basha dhe dëmshpërblimin që qeveria duhet të paguajë.
Lubonja flet për portalin dhe ndalet tek ky ‘institucion’ i ri që do bashkëqeverisë shqiptarët.
Lubonja shpotit Ramën duke thënë se ky institucion me performancë deri dje drejtohej nga Tahiri tani ka kaluar në dorë të Spiropalit.
“Aty mësova se këtë “institucion” të ri, që deri dje e drejtonte Saimir Tahiri, tani e kryesoka ish-drejtoresha e doganës, Erisa Spiropali, e cila, ashtu si Tahiri, është hequr nga administrata, sipas fjalëve të Ramës, sepse ka pasur performancë të lartë në punë dhe kjo e ka bërë më të vyer për punën në parti.”shkruan Lubonja.
Më tej Lubonja flet për ‘vesin’ e Kryeministrit për të folur kundër çdo zëri që nuk është dakord me të dhe thotë:
“Siç merret me mend, pjesë e pandarë e fjalimit të gjatë të Edi Ramës qenë edhe sharjet dhe qesëndisjet ndaj atyre që e kanë kritikuar këtë lloj metode qeverisjeje, të cilët, siç ripërsëriti ai, s’dinë të bëjnë punë tjetër në jetë.
Personalisht, bëj pjesë ndër ata qytetarë, që e ka qesëndisur këtë metodë sepse nuk mendoj se Shqipëria që duam mund të ndërtohet kësisoj; madje, edhe më keq akoma: kam shkruar se këto praktika nuk janë tjetër gjë, veçse një formë e mashtrimit dhe keqpërdorimit të popullit për qëllime krejt të tjera nga mirëqeverisja e tij.”shkruan Lubonja.
Për analistin metodat e qeverisjes së Kryeministrit Rama me anë të portaleve, platformave dhe ankesave online të kujtojnë komunizmin dhe diktatorin Hoxha që imitonte Maon.
“Janë metoda që të kujtojnë kohën e Hoxhës, i cili në fundvitet ‘60, duke imituar Maon e Revolucionit Kulturor, doli me parullën, “Kur flet klasa, nuk flet burokracia” e me politikat e fletërrufeve, që në thelb synonin dobësimin e pushtetit të institucioneve të shtetit dhe zëvendësimin të tyre me kultin e udhëheqësit të pagabueshëm që mban lidhje direkt me popullin.
Meqenëse ky mund t’u dukej lexuesve si një shembull i tepruar, kam sjellë edhe atë të një gjysmë demokracie, siç Venezuela e Çavesit, ku ky delirant i sëmurë kishte hapur një program të vetin televiziv, nëpërmjet të cilit merrte telefonata nga populli dhe, me demek, u zgjidhte direkt njerëzve hallet që kishin, ndërkohë që keqtrajtonte opozitën dhe çdo zë kundërshtar.” thekson Lubonja në shkrimin e tij.
Në këtë rast, shkruan Lubonja, meqë Kryeministri dhe qeveria kanë hapur një portal multifunksional, atëherë pse duhen hallkat e tjera të shoqërisë, siç janë mediat, KLSH apo dhe opozita.
“Po një organ si Kontrolli i Lartë i Shtetit, që ka për detyrë të konstatojë shkeljet e abuzimet administratorëve, përse duhet?
Mund të shkoja gjatë me pyetje të tilla, që do të përfundonin edhe me pyetjen: po pse duhet fare Parlamenti, që supozohet se duhet të kontrollojë e miratojë punët e qeverisë, kur të gjithë këta institucione mund t’i zëvendësojë portali i Spiropalit, shqipëriaqëduam.al?”thotë Lubonja.
Lubonja argumenton se në këtë rast ‘Shqipëriaqëduam.al’ është në fakt ‘Shqipëriaqëdoedirama.al’. Për këtë arsye ai i drejton publikisht Kryeministrit një ankesë lidhur me vendimin e Strasburgut për pallatin në Vlorë.
“Rezultojnë mashtrime publike për qëllimin e prishjes së pallatit, shpronësime banditeske, shkelje të të drejtave të njeriut me rrethime policeske të pronave private, moszbatim i vendimit të gjykatave nëpërmjet kapjes së Gjykatës së Lartë, çfarë s’kishte në atë vendim për metodat Rama të qeverisjes – përpos shumës së majme prej 13 milionë euro, që do t’u hiqen xhepave të shqiptarëve nga këto metoda.”shkruan Lubonja.
Lubonja shkon më tej kur thotë se ky rast nuk është i vetmi, dhe i referohet denoncimit të ish-ministrit Petrit Vasili lidhur me çështjet e arbitrazhit ndërkombëtar ku shteti shqiptar detyrohet të paguajë 2 miliardë euro.
“Një dokument i paradokohshëm tregon se ish-ministri i Drejtësisë, Vasili, i është drejtuar Edi Ramës me shqetësimin se, për shkak të këtyre metodave banditeske të qeverisjes, sipas Avokates së Shtetit, ne rrezikohemi që gjykatat ndërkombëtare të na ngarkojnë 2 miliardë euro dëmshpërblim.”shkruan ndër të tjera Lubonja.
Analisti e mbyll shkrimin me një pyetje, se çfarë funksioni do ketë portali përveç pushimit të zyrtarëve nga puna.
“Çfarë do bëni ju, në bashkëqeverisje me popullin, për këto raste skandaloze? A do të pushohet kush nga puna, a do të paguajë kush dëmin material që është shkaktuar, a do t’i dërgohet kush Prokurorisë dhe Gjykatës?”-përfundon Lubonja.
(F.G/Faxweb.al)