Luçiano Moxhi nuk i ndahet botës së futbollit. Këtë herë ai në një intervistë për “Corriere dello Sport”, ka folur edhe për kampionatin aktual në Itali.Moxhi ka treguar se sheh ende Interin si skuadrën që mund të mposhtë Juven në luftën për titullin kampion.
“Titullin e fiton Interi. E njoh pak Spaletin, më duket si prift kur flet, por kanë bërë një skuadër të madhe. Kanë marrë një qendërmbrojtës të fortë, Naingolan në mesfushë që kontrollon lëvizjet dhe një kampion përpara, Lautaro Martinez. Roma ka shitur siguri dhe ka blerë shpresa. Problemi është se atje krijojnë heronj për 10 minuta, shih Klajvert. Napoli është një skuadër për vendet e para, por nuk shoh se si mund të fitojë titullin”, u shpreh Moxhi. Duke u ndalur te Napoli, aty është tashmë trajner një emër i madh si Karlo Ançeloti, për të cilin ish-drejtuesi i Juventusit ka treguar disa prapaskena për vitet si bardhezi.
“Trajner i madh, as nuk diskutohet, përveçse një njeri i shkëlqyer, por mund të mos mjaftojë.Te Juventusi nuk kishte eksperiencën e duhur e gjithsesi bëri dy kampionate të mira me ne. Tifozët nuk e donin, se vinte nga Parma.
Unë fola me tifozët dhe u thashë: ‘Ançeloti është një derr? Atëherë ta dini që për herë ë parë një derr do të ulet në pankinë pasi Ançeloti do të jetë trajneri i Juventusit’”, tregoi Moxhi për atë takim me tifozerinë.