Sot më shumë se kurrë u shfaqën hapur tensionet midis dy partive kryesore në koalicionin qeverisës PS-LSI, kjo pas deklaratave të Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe Kreut të grupit Parlamentar të LSI-së Luan Rama.
Ky i fundit reagoi në një deklaratë për shtyp lidhur me raportin e fundit të DASH, ku u tha se Shqipëria është një vend kalimi për marijuanën.
“Shqipëria të mos bëjë më spektakle me policë që çohen të korrin kanabis. Institucionet shtetërore e kanë për detyrë të parandalojnë dhe të ndalojnë çdo shfaqje të shkeljes së ligjit. Ju bëj thirrje të reagojnë menjëherë dhe në mënyrë konkrete, jo me fraza jo me demagogji dhe as me akuza dhe kundërakuza për t’ju përgjigjur shqetësimit të partnerëve strategjikë, të DASH-it po edhe nga antimafia italiane të cilat janë të shqetësuar për këtë situatë kriminale.”, tha Luan Rama.
Mirëpo Tahiri i kundërpërgjigjet Ramës nëpërmjet një reagimi në Facebook, ku i drejtohet me fjalët “zëdhënës i LSI-së”. Tahiri e cilëson si një lexim të pasaktë raportimin që iu bë raportit të DASH, ai paraqet katër raporte, duke thënë se Shqipëria nuk u bë burim i rëndësishëm i prodhimit të marijuanës as vjet e as parvjet, po njihej si i tillë nga DASH që para se të merrnim detyrën.
Debati i sotëm mes Tahirit dhe Ramës, nuk është i pari debat që vë në dukje tensionet midis PS-së dhe LSI-së të cilat edhe rreth dy muaj më parë kanë qenë të acaruara.
Kujtojmë deklaratat e ministrit të mjedisit Lefter Koka, si dhe të ish-ministrit të Drejtësisë Ylli Manjani, i cili u shkarkua nga detyra pikërisht përse foli “më shumë se ç’duhej” mbi fenomenin e kanabizimit të vendit.
Në janar të këtij viti, Koka doli kundër fenomenit të kanabizimit në vend, dhe në mënyrë jo të drejtpërdrejtë sulmoi ministrin Tahiri.
“Realiteti është në terren, Durrësi, Qafshtama dhe malet e Krujës kanë qenë të mbjella me kanabis, toka të tëra të mbjella me kanabis, që kërkon punonjës në një periudhë për pak muaj, më saktë tre mujore. Në Shqipëri nuk duhet të ketë dhe nëse ka kanabis, ka bashkëpunëtorë, janë disa njerëz që kanë lidhjet e tyre dhe ata i punësojnë gjithë këta njerëz për të mbjellë parcela të tëra toke. Sepse nuk janë punëtorët ata që kultivojnë hashashin për fituar një copë bukë. Janë organizata bashkëpunimi me njerëz që bëjnë këtë aktivitet të paligjshëm, është emergjente ndërhyrja, unë vij nga Durrësi dhe kuptoj realitetin e tij.”, tha Koka në një intervistë për ORA News.
Ndërkohë, Koka lëshoi akuza të forta për policinë e shtetit në Durrës, që sipas tij është përfshirë në një lojë “të fortësh” ndaj LSI-së. “Ndaj do ti bëja thirrje policisë të mos ikë në drejtim të paditur”, shton ai.
Nga ana tjetër kemi Manjanin, i cili në kohën kur ishte ende ministër drejtësie shprehu disa herë shqetësimin për rritjen e kultivimit të kanabisit në vend.
“Është shumë serioz dhe për të shkuar partizan në mal tek hashashi, çmimi luhatet nga 20 mijë deri në 40 mijë lekë. Pra njerëz që i shihnim rregullisht, këto kohë kanë preferuar të dalin partizanë e të bëjnë këtë punë të paligjshme. Fenomeni ekziston dhe ekziston në mënyra të frikshme. Shqipëria po jep një imazh gjithnjë e më shumë që po kultivon hashash.”, tha Manjani në janar tek “Top Story”.
Por pas dy javësh, Rama e shkarkoi Manjanin me justifikimin: Në funksion të përmirësimit të mëtejshëm të cilësisë së bashkëqeverisjes dhe të koordinimit sa më të mirë të punës me Kuvendin, aktorët e tjerë shoqërorë e grupet e interesit, për çuarjen përpara të Reformës në Drejtësi, kam gjykuar të nevojshëm lirimin e Ministrit Manjani dhe zëvendësimin e tij me Ministrin Vasili”.
Megjithatë ishte mëse e dukshme se arsyet e vërteta kishin të bënin me deklaratat e Manjanit për kanabisin, duke prekur në mënyrë indirekte Saimir Tahirin, i cili u shkarkua nga detyra këtë javë.
Dy shkarkimet e ministrave kanë ndodhur shumë afër në kohë pasi bëhet fjalë për një diferencë prej dy muajsh.
Që pas shkarkimit të tij, Manjani e ka paralajmëruar disa herë se do vinte edhe koha për shkarkimin e Tahirit. Madje ai ka thënë se ndërkombëtarët kanë kërkuar pikërisht shkarkimin e Tahirit, pavarësisht se Rama zgjodhi të shkarkojë atë. Sot jemi dy muaj më vonë, ku tensionet mes koalicionit qeverisës janë bërë më të ashpra dhe na mbetet të presim për të parë nëse PS dhe LSI do dalin bashkë në zgjedhje apo më vete. (D.D/Shuplaka)