Kryeministri Edi Rama thotë se dy shtyllat kryesore të modelit të Shqipërisë kundër koronavirusit është “populli” dhe “rezistenca”.
Rama pranoi se sistemi shëndetësor i Shqipërisë nuk i ka kapacitetet për ta përballuar një situatë nga koronavirusi që mund të ishte shpalosur në mungesë të mos implementimit të masave të rrepta, ndaj tha në emisionin “Përballë” në RTSH se “rritja e vetëdijes” dhe “rezistenca e popullit në shtëpi” kanë dhënë rezultat.
Pjesë nga intervista:
Jeni munduar ta trembni popullin?
Rama: Asnjëherë sepse frika, njësoj si paniku nuk është shtysa e duhur, por për t’i ndërgjegjësuar, po patjetër. Frika është bazuar mbi propagandën, ndërsa vetëdija është e bazuar mbi realitetin.
Pse është ushtria në rrugë dhe e armatosur?
Rama: Ushtria është duke bërë detyrën e saj dhe në të gjitha vendet është në rrugë
Keni thënë se nuk mundet vetëm me mbrojtje, kur do sulmoni?
Rama: Sulmi nuk mund të ndodhë dhe nuk ka për të ndodhur veç e veç, sulmi do të ndodhë kur të gjitha vendet të ndërgjegjësohen. Pa një përpjekje të përbashkët, pa një sulm të koordinuar të të gjitha vendeve bashkë.
Modeli që ndjek Shqipëria…
Rama: Unë shoh si efikas modelin tonë, nuk mund të humbasim fokusin duke u hedhur nga një model në tjetrin, ne kemi zgjedhur modelin që na përshtatet më shumë, dhe rezultatet deri tani na japin të drejtë. Ne kemi qenë të parët që kemi vrapuar të mbyllemi në shtëpi, në të gjithë Europën. Kur vende të tjera me shëndetësi më të madhe kolapsojnë, ne nuk mund të prisnim. Modeli jonë është i bazuar te populli, te rezistenca dhe rritja e vetëdijes. Kemi një komitet teknik ekspertësh që e them me plot gojën nuk na vë në pozitën që të kemi zili askënd. Janë ata që përcaktojnë ecurinë e përditshme të zbatimit të strategjisë që është e ndërtuar duke u bazuar në orientimet dhe udhëzimet e tyre.