Gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara shtetet perëndimore kanë sfiduar Rusinë duke kërkuar ripërtëritjen e misionit të OKB-së, i ngarkuar për të përcaktuar se kush ka kryer sulme me armë kimike në Siri.
Në një deklaratë të përbashkët, ministrat e Jashtëm të Francës, Gjermanisë, Britanisë dhe SHBA-së thanë se ata kanë “besim të plotë” në “profesionalizmin dhe pavarësinë” e Mekanizmit për Hetim të Përbashkët dhe kërkuan zgjatjen e mandatit të tij.
Duhet të theksojmë se kjo deklaratë vjen pasi Rusia hodhi poshtë konstatimin e ekipit hetues të OKB-së se qeveria siriane qëndron prapa një sulmi me gaz sarin, i cili është kryer në muajin prill në qytetin Khan Sheikhon dhe ka lënë dhjetëra njerëz të vrarë.
Zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov, tha se Moska e kundërshton rezolutën e Perëndimit për vazhdimin e mandatit të ekipit të OKB-së edhe për 18 muaj. (J.V/Faxweb)
Discussion about this post