Presidenti rus Vladimir Putin gjatë një konference për shtyp tha se thirrjet nga Perëndimi për t’i shkaktuar një disfatë strategjike Rusisë, demonstrojnë “aventurizëm skandaloz” dhe “askush nuk mund të garantojë se vendet perëndimore nuk do të përdorin armë bërthamore”.
Ai gjithashtu e quajti të rrezikshme formulën “Nëse jo me ne, atëherë kundër nesh”.
Ndërkohë në Ukrainë vazhdojnë bastisjet ruse. Të paktën 4 njerëz u vranë dhe 16 të tjerë u plagosën në sulmet “masive” ruse që synuan një spital në Zaporizhzhia në jug të Ukrainës, njoftoi guvernatori rajonal. Mes të plagosurve ishte edhe një fëmijë një vjeçar.
Presidenti Volodymyr Zelensky në një postim në rrjetet sociale u shpreh se rusët kënaqen me vdekjen e njerëzve.
“Shumë shtëpi u shkatërruan dhe një ndërtesë e spitalit onkologjik u dëmtua. Secili prej këtyre sulmeve ruse jo vetëm që shkatërron jetë njerëzore, por edhe kuptimin e çdo fjale që lidhet me mungesën e supozuar të bisedimeve me Rusinë. Atje ata kënaqen me vdekjen e njerëzve. Kjo është arsyeja pse mbrojtja ajrore e Ukrainës, aftësia për të shkatërruar avionët ushtarakë rusë, leja për të nisur sulme me rreze të gjatë kundër pushtuesit janë mbrojtja e vërtetë e jetës,” shkroi Zelensky.