Tre armë zjarri pistoletë dhe një armë zjarri kallashnikov janë përdorur në përplasjen me armë në Velipojë, ku mbetën të vrarë katër persona dhe u plagosën dy të tjerë.
3 pistoletat janë sekuestruar nga Policia, ndërsa arma tip kallashnikov e konstatuar nga gëzhojat e gjetura në vendin e ngjarjes nuk është gjetur.
Sipas materialit referues, që Fax News disponon 13 gëzhoja të plasura janë gjetur në vendin e ngjarjes, si dhe 5 gëzhoja të paplasura, apo të dëmtuara.
Policia dhe Prokuroria ende nuk ka përcaktuar se kush ka qëlluar i pari në ngjarjen e rëndë, kjo për shkak të mungesës së pamjeve filmike që nuk kapnin të gjithë skenën e krimit, errësirës dhe mungesës së kamerave në rrugica.
Ndërkohë për ngjarjen me 4 viktima janë arrestuar 2 personat që mbetën të plagosur dhe 3 djemtë e Hasan Ferracakut.
Si pasojë e të shtënave që nisën nga një konflikt për shezllonet mbetën të vrarë dy vëllezërit Edmond dhe Xhovani Gocaj, Musaen Zeneli dhe shtetasi Kujtim Ferracaku.
Vëllezërit Gocaj dhe Ferracaku ishin pronarë të dy hoteleve në Velipojë, dhe konflikti mes tyre ka ndodhur për shkak të ndarjes së vijës bregdetare, dhe vonesave që kishte shkaktuar e-albania.
(E.K/Faxweb.al)