SHBA-ja i dha fund zyrtarisht regjimit pa tarifa për importet me vlerë të ulët nga Kina dhe Hong Kongu, duke shënuar përshkallëzimin e fundit në luftën tregtare me Pekinin. Përjashtimi i tarifave, që më parë lejonte dërgesat me vlerë nën 800 dollarë të hynin në SHBA pa taksa, është revokuar pas një urdhri ekzekutiv të nënshkruar nga presidenti Donald Trump me 2 prill.
Shtëpia e Bardhë tha se masa synon rrjedhën e paligjshme të opioideve sintetike si fentanili dhe mbyll një “shteg ligjor” që Trump e përshkroi si “mashtrim” që dëmton bizneset e vogla amerikane. “Është një mashtrim i madh që po ndodh kundër vendit tonë, kundër bizneseve vërtet të vogla. Dhe ne i kemi dhënë fund”, tha Trump në një mbledhje të kabinetit më parë këtë javë.
Importet me origjinë nga Kina dhe Hong Kongu tani do t’u nënshtrohen tarifave dhe do të jenë përgjegjëse për të gjitha detyrimet përkatëse. Vendimi pritet të ndikojë shumë në platformat e tregtisë elektronike si Shein, Temu dhe shitësit e palëve të treta të Amazonit që më parë përdornin shtegun ligjor për të shmangur detyrimet.
Mallrat nga Kina tani mund të përballen me tarifa deri në 145 për qind.
Ekspertët e tregtisë kanë thënë për “CBS News” se masa gjithashtu vendos një barrë të re mbi Doganën dhe Mbrojtjen Kufitare të SHBA-së (CBP), e cila tani duhet të inspektojë miliona pako të tjera çdo ditë, duke rezultuar potencialisht në vonesa të dërgesave dhe sfida administrative.
“Mënyra se si blejmë online nuk do të jetë më e njëjtë”, ka thënë për median Ram Ben Tzion, shef ekzekutiv i “Publican”. Seksioni 321 i Aktit të Tarifave të vitit 1930 lejon që importet amerikane nën një prag “de minimis” të hyjnë pa tarifa ose taksa. Në vitin 2016, Kongresi e rriti pragun nga 200 dollarë në 800 dollarë për dërgesë.
Eksportet kineze të pakove individuale me vlerë të ulët u rritën nga 5,3 miliardë dollarë në vitin 2018 në 66 miliardë dollarë në vitin 2023, sipas një raporti të Shërbimit Kërkimor të Kongresit.