Papa Leo XIV ka shprehur mbështetje të fuqishme për Ukrainën, duke e quajtur luftën aktuale “të pakuptimtë” dhe duke ndarë dhimbjen e popullit ukrainas, i cili po përballet me pasojat e një konflikti të dhunshëm dhe të paarsyeshëm. Në një mesazh të shpërndarë në rrjetet sociale, Papa theksoi afërsinë e tij me ata që po vuajnë nga lufta.
“Dua të shpreh afërsinë time me Ukrainën që po vuan, me fëmijët, të rinjtë, të moshuarit dhe, veçanërisht, me familjet që vajtojnë të dashurit e tyre. Ndaj dhimbjen tuaj për robërit dhe viktimat e kësaj lufte të pakuptimtë,” shkroi Papa Leo XIV në një postim në platformën X.
Papa theksoi se besimi i popullit ukrainas po kalon një periudhë të vështirë dhe se përballimi i këtij stresi është një provë e madhe. Ai nënvizoi se besimi nuk do të thotë të kesh gjithmonë përgjigjet e të gjitha pyetjeve, por të ruash shpresën se Zoti është me ne dhe do të japë forcën për të përballuar vështirësitë.
“Të besosh nuk do të thotë t’i kesh tashmë të gjitha përgjigjet, por të shpresosh se Zoti është me ne dhe na jep hirin e Tij, se Ai do të ketë fjalën e fundit dhe jeta do të triumfojë mbi vdekjen,” theksoi Papa.
Ky mesazh i Papës vjen në një kohë kur lufta në Ukrainë ka shkaktuar një krizë të thellë humanitare dhe ka vazhduar të shkaktojë mijëra viktima dhe shkatërrime të shumta.