Luis Hamilton fitoi sot garën e Portugalisë në Formula 1 dhe theu rekordin e fitoreve të të gjitha kohërave në këtë sport. Piloti britanik dominoi garën duke marrë fitoren e tij të 92-të në karrierë. Me suksesin e sotëm, 35-vjeçari theu edhe rekordin e Majkëll Shumaker i cili qëndronte në krye të pilotëve me më shumë fitore për 19 vite. Hamilton është tashmë piloti më suksesshëm në historinë e këtij sporti.
Gjashtë herë kampioni i botës mban gjithashtu rekordet për më shumë pikë karriere (3687), “pole position” (97), paraqitje në podium (161), “Grand Slam” në një sezon (3) dhe pikët e kampionatit në një sezon (413). Me 5 gara të mbetura nga sezoni aktual, britaniku ndodhet në krye të renditjes.