Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha gjatë takimeve në Urën Vajgurore deklaroi se paratë dhe interesat e shqiptarëve janë ndërthurur me 5 oligarkë, të cilët po grabisin pronat e qytetarëve.
Basha ka deklaruar se Kryeministri Rama e ka ndërprerë lidhjen me popullin, dhe kjo sipas tij vjen pasi ai është kapur duke vjedhur votat. Sipas kryedemokratit, Rama sa herë përpiqet të tërheqë vemendjen me barcaleta dhe truket me veshjet e tij ai është duke vjedhur diçka të madhe.
“Rama ka ndërtuar një sistem ku ka ndërthurur interesat e 5 oligarkëve me rryshfete të majme për veten e tij dhe ministrat e tij, se kur i rrotullon prapë se prapë punët aty me njëri-tjetrin i llokoçisin.
Ikën Damiani, vjen Belinda, Belinda bashkë me Damianin, bashkë me Afrimin. Nuk ka më qeveri. Kemi një bandë e cila është kapur duke vjedhur. Janë kapur duke vjedhur votat dhe në këtë moment ka prerë lidhjen me popullin. Në momentin që ai e merr pushtetin jo përmes votës ai nuk e ka më frikë qytetarin. Kemi një kryeministër që e ka mendjen të bëjë barcaleta, të tallet, dhe të bëjë paratë e shqiptarëve rrush e kumbulla. Sa herë ta shikoni në ekran duke këputur mufka ose duke bërë truket e veta gjoja me veshje, sa herë që është duke bërë atë, është duke vjedhur diçka të madhe. E ka mendjen që ju ta shikoni se si flet, çfarë vesh, në atë moment ai po bën një vjedhje të madhe.
Në atë moment ai i ka dhënë një oligarku një kontratë, ose i ka falur një copë bregdeti, ose një pus nafte, një leje minerare, leje ndërtimi në kundërshtim me ligj duke pastruar paratë e drogës, ose ka devijuar lumin që të grabisë pronat e qytetarëve. Çdo moment propagande e Edi Ramës, prapa kësaj fshihet një vjedhje e madhe”, tha Basha.
(F.GJ/FAXWEB.AL)