Në takimet që Basha po zhvillon me strukturat e PD-së duket se ka ashpërsuar mjaft gjuhën e përdorur ndaj Edi Ramës. Jo pak herë ai e ka cilësuar atë si varrmihësin e demokracisë shqiptare.
Basha ka vijuar më tej dhe me denoncimin e rasteve të blerjes së votave duke u shprehur se PD është e vetmja forcë që iu ka qëndruar larg këtyre pazareve.
“Edi Rama ka hapur sondazh se çfarë duan shqiptarët nga qeverisja e tij. Hipokrizia e kësaj është përtej çdo përfytyrimi. Eshtë e qartë për çdo shqiptar se Edi Rama nuk ka as program, as plan për të qeverisur Shqipërinë.
Eshtë e qartë se kjo maxhorancë është fiktive dhe nuk përfaqëson vullnetin e qytetarëve por përfaqëson shtrembërimin e këtij vullneti përmes shit-blerjes së votës që u faktua në këto zgjedhje si varrmihësi i demokracisë tonë të brishtë”, është shprehur në një nga takimet e disa ditëve më parë Basha.
Duhet thënë se Basha për asnjë moment nuk e ka shmangur përgjegjësinë për humbjen, por ama nuk ka lënë pa denoncuar dhe rastet flagrante të vjedhjeve të votave në 25 Qershor. (E.K/SHUPLAKA)