Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka dalë me disa propozime konkrete ndaj qeverisë shqiptare duke argumentuar se karantinimi i vendit ka edhe pasoja të mëdha ekonomike, ndaj të cilave duhen marrë masa para se të jetë vonë.
Basha tha se kriza që vendi ka përballë nuk duhet ndjekur nga pas por gjetur mekanzima për ta parandaluar teksa ka bë edhe propozimet e tij ndaj qeverisë.
“Qeveria të marrë masa për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e mjekëve dhe infermierë. Çdo masë e vonuar mund të jetë e pafalshme në të ardhmen. Dua të jem i qartë, transparenca është armiku numër një i panikut në shoqeri. Qeveria duhet të lajmërojë në kohë për pajisjet mjekësore dhe planin e masave për përballimin e fluksit. Sot kemi nevojë për të jemi të gjithë bashkë, si individ, si familjarë dhe si shoqëri.
Ndaj ne kemi të gjithë ekspertët tanë për të komunikuar, mësuar por edhe për ti propozuar qeverisë masa. Sot po kalojmë edhe një sprovë ekonomike dhe qeveria duhet të marrë masa të shpejta ti paraprijmë kësaj krize dhe jo ta ndjekim nga pas. Ne kemi propozuuar prej datës 11 mars disa masa në mbështetje të ekonomisë dhe qytetarëve. Frika dhe pamundësia për të mos përballuar ushqimet dhe faturat si dhe frika për bizneset. Sa më pak të ardhura aq më pak frymëmarrje për bizneset. Ndaj pa asnjë vonesë, i bëj thirrje qeverisë të rishikojë bexhetin dhe të marrë këto masa:
- Të pezullohen pagesat e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për një periudhë 3-mujore (shlyerja e këtyre pagesave të bëhet me këste 12-mujore në periudhat pasardhëse).
- Në rast nevoje, kur biznesi shfaq pamundësi financiare, të paguhen nga buxheti i shtetit pagat e punonjësve për një periudhë 2-mujore, sipas kritereve të mirëpërcaktuara për të shmangur abuzimin.
- Përjashtimin nga tatim fitimi për 6-mujorin e parë të vitit dhe të pezullohet tatim fitimi për pjesën e mbetur të vitit (e cila të paguhet me 4 këste gjatë vitit 2021).
- Pezullimin dhe fshirjen e pagesave të faturave të energjisë dhe të ujit për të gjithë konsumatorët (familjarë nën minimumin jetik dhe biznese të vogla e të mesme) në zonat (bashkitë) ku virusi Covid-19 është shfaqur.
Gjithashtu, të pezullohet shkëputja e furnizimit me ujë dhe energji elektrike në rast të mospagesës së detyrimeve për periudhat pararendëse deri në tejkalimin e kësaj gjendje. - Të përjashtohen nga kamatvonesat dhe gjobat për një periudhë 3 mujore.
- Përjashtim nga taksa e pronës dhe nga të gjitha taksat dhe tarifat vendore për një periudhë 3-mujore në zonat (bashkitë) ku virusi Covid-19 është shfaqur, tha Basha.
(F.GJ/FAXWEB.AL)