Kryedemokrati Basha ka qenë ditën e sotme në një takim me ekspertët e shëndetësisë. Duke folur për vështirësitë në këtë sektor, Basha bëri me dije me ardhjen e tij në pushtet, pagat për mjekët do të shkojnë deri në 1200 euro në muaj.
“Nuk kalon javë pa pasur goditje, përplasje në spitalet e vendit. Rrogat më të ulëta në rajon. Rrogat më të larta nuk kapin as gjysmat e rajonit.
Rajoni i ka rritur, ndërsa ne nuk kemi indeksuar as për inflacionin. Ky është një nivel që nuk është parë as në vitet 70. Numri i specialiteteve disa herë më i ulët, pagat katastrofë. Të gjithë dështimin mundohen t’ia faturojnë bluzave të bardha.
Mjekët dhe infermierët përpiqen t’u shërbejnë qytetarëve, por po e bëjnë shërbimin si në spitale lufte. Spitalet e rretheve kanë mbetur vetëm në godina. Shërbim shëndetësor është i varfër, pak mjekë dhe pak ilaçe.
Këto probleme nuk zgjidhen sa hap dhe mbyll sytë, por kemi nisur një diskutim me të gjitha grupet për të hartuar politikat e duhura dhe përmirësimin e sistemit shëndetësor. Me ardhjen e PD në pushtet paga minimale e doktorëve do të arrijë 1200 euro në muaj dhe për infermerët në 700 euro në muaj.
Ky është realiteti në Kosovë. Ky është synimi dhe objektivi. Këto do të jenë pagat minimale në sektorin shëndetësor. Unë zotohem sot këtu para jush se këtë objektiv do ta bëjmë realitet”, – tha Basha.