Kreu i PD-së Lulzim Basha tha se qëndrimi i opozitës është i kushtëzuar nga ato që i quan veprime arbitrare të qeverisë. Duke folur në Top Story këtë të martë, Basha deklaron se “nuk ka asnjë shpresë të vetëkorrigjimit apo të korrigjimit të kësaj shumice”.
“Kjo qeverisje është politikisht e vdekur! Ky kryeministër është politikisht i vdekur. Nuk ka asnjë mënyrë tjetër që Rama të mbrojë veten dhe ministrat e tij të korruptuar dhe të lidhur me krimin, si Saimir Tahiri, pa kapur institucionet me vendime ekstraligjore, ekstrakushtetuese.
E keqja ka kapluar sot edhe institucionet e pavarura. Kjo është një krizë e thellë e vendit. Ne nuk mund të jemi një opozitë europiane, normale kur ne nuk kemi zgjedhje normale, kur shkelja e Kushtetutës është një precedent që zor se e qenë në diktaturat afrikane dhe aziatike”, – thotë Basha.
“Po përpiqen të shkatërrojnë shpresën tjetër të shqiptarëve, që është reforma në drejtësi duke e kapur atë dhe duke mbrojtur krimin, duke shkatërruar dosjet e krimit, të ndalimit apo komprometimit të dosjeve të Saimir Tahirit, Vangjush Dakos, Balilajt dhe Habilajt, që janë konfirmuar si shtyllë dhe aleatë të pushtetit të Ramës” – shtoi kreu i PD.
(E.K/FAXWEB)