Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha nuk ka ndërmend të dorëzohet sa i takon kërkesës së tij për qeverinë që të angazhojë 500 inxhinerë që janë gati të ndihmojnë për të vlerësuar dëmet në ndërtesa pas tërmetit.
Pas një takimi të zhvilluar me banorët në Durrës, Basha tha në rrjetet sociale se vetëm kështu do të mund të mbyllet sa më parë procesi i vlerësimit në mënyrë që banorët të marrin zgjidhje.
“Vlerësimi i pallateve dhe shtëpive është i domosdoshëm dhe duhet të kryhet pa vonesa. Për këtë arsye qeveria duhet të angazhojë pa humbur kohë inxhinierët që janë të gatshëm të kontribojnë.
Organizimi dhe autorizimi shtetëror i një kontigjenti prej 500 inxhinierësh të gatshëm të angazhohen, do të mundësonte përfundimin pa sorollatje të vlerësimit të çdo objekti të dëmtuar nga tërmeti, në mënyrë që qytetarëve tu jepet qartësi dhe siguri”, u shpreh Lulzim Basha në “Facebook”. Ai tregoi edhe problemet që po shoqërojnë banorët këto ditë pas tërmetit.
Postimi i plotë i Lulzim Bashës:
Në Durrës banorët kanë ditë të tëra që flenë me fëmijët në çadra ose makina sepse vlerësimi i banesave nuk ka përfunduar ende dhe ndjehen të pasigurt të kthehen në apartamente. Ata u shprehën të shqetësuar se askush nuk është interesuar dhe se kur kanë kerkuar sqarime në bashki, nuk kanë gjetur përgjigje. Ankesa patën po kështu për mungesën e ndihmave në këto ditë të vështira për ta.
Qeverisja lokale dhe qendrore e ka për detyrë tu vijë në ndihmë dhe tu përgjigjet qytetarëve në çdo kohë, dhe tani më shumë se kurrë për shkak të traumës që kanë kaluar nga tërmeti. Vlerësimi i pallateve dhe shtëpive është i domosdoshëm dhe duhet të kryhet pa vonesa. Për këtë arsye qeveria duhet të angazhojë pa humbur kohë inxhinierët që janë të gatshëm të kontribojnë.
Organizimi dhe autorizimi shtetëror i një kontigjenti prej 500 inxhinierësh të gatshëm të angazhohen, do të mundësonte përfundimin pa sorollatje të vlerësimit të çdo objekti të dëmtuar nga tërmeti, në mënyrë që qytetarëve tu jepet qartësi dhe siguri.
(M. I./ Faxweb.al)