Kreu i PD, Lulzim Basha, ka pasur sot një takim me artistë në kuadër të tryezës “Arti në mbrojtje të demokracisë”. Basha tha se aleanca për mbrojtjen e Teatrit është një kauzë e drejtë dhe një shembull frymëzues.
Sa i takon zgjidhjes së krizës në vend, Basha propozoi krijimin e një qeverie tranzitore pa kryeministrin Edi Rama si dhe zgjedhje të parakohshme.
“Aleanca për mbrojtjen e Teatrit është një kauzë e drejtë dhe shembull frymëzues. Kriza politike kërkon një zgjidhje akute. Duhet qeveri tranzitore pa Ramën kryeministër dhe zgjedhje të parakohshme për daljen nga kjo krizë”- tha Basha.
“Parlamenti, pushteti të jenë produkt i votës së lirë, dhe me procesin e qeverisjes të jenë nën kontroll për të mos u kapur nga interesa kriminale. Diskutimi nuk ndodh në eter, ndodh në mes të kësaj krize të thellë, ku qytetarët i janë përgjigjur thirrjes për protesta, për t’i dhënë fund cdo iluzioni e deluzioni të një regjimi që duhet të marrë fund e duhet t’i hapë rrugën një procesi llogaridhënie për të gjithë ata që asgjësuan procesin zgjedhor dhe shkaktuan këtë krizë.
Ka ardhur koha që me rastin e kësaj krize të gjithë bashkë të japim kontribut të mos mjaftohemi me kapërcimin e krizës së radhës po t’i japim fund këtij trazicioni dhe të vendosim themelet e një shteti ku askush mos jetë në gendje të kapë pushtetet dhe të braktisë paktin me qytetarët pa u përballur me pasojat që do të përballeshin në Europë. E thënë shkurt kur kemi një qeveri të kapur, si kudo kjo duhet të shkaktojë vënien e përgjegjësve para drejtësisë.”- vijoi kryedemokrati.