Ndryshe nga kryeminisri shqiptar Edi Rama që uronte për fitore homologun e tij malazez, Milo Gjukanoviç, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka bërë një thirrje ndaj shqiptarëve në Malin e Zi që të dalin masivisht në zgjedhjet parlamentare të 30 gushtit dhe të votojnë listat shqiptare.
Basha thekson se përmes votës së tyre për partitë shqiptare, mund të sigurojnë mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të tyre dhe të garantojnë një të ardhme më të mirë për fëmijët.
“Ne krenohemi me faktin që shqiptarët në Mal të Zi kanë luajtur rol kyç në arritjen e pavarësisë së Malit të Zi dhe në përmbushjen e aspiratës së anëtarësimit në NATO.:, shkruan ndër të tjera Basha.
“Ju bëj thirrje bashkëkombësve tanë në Mal të Zi që të dalin masivisht në zgjedhjet parlamentare të 30 gushtit dhe të votojnë listat shqiptare. Të dashur motra dhe vëllezër, nëpërmjet votës tuaj për partitë shqiptare, ju mund të siguroni mbrojtjen e të drejtave dhe interesave tuaja dhe të garantoni një të ardhme më të mirë për fëmijët tuaj.
Ne krenohemi me faktin që shqiptarët në Mal të Zi kanë luajtur rol kyç në arritjen e pavarësisë së Malit të Zi dhe në përmbushjen e aspiratës së anëtarësimit në NATO. Jam i bindur që faktori politik shqiptar do të vazhdojë që në mënyrë konstruktive të japë kontribut të çmuar në përshpejtimin e integrimit europian të Malit të Zi. Forcimi i përfaqësimit të partive shqiptare në parlament, është një kontribut i shtuar për paqen dhe stabilitetin në vend, për garantimin e të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi dhe për integrimin europian të vendit dhe mbarë rajonit.”, shkruan Basha në Facebook.
Më herët kryeministri shqiptar Edi Rama, ka regjistruar një video-mesazh, ku shpreh publikisht mbështetjen për Milo Gjukanoviçin dhe partinë e tij Social Demokrate, në zgjedhjet që do të mbahen në Malin e Zi pas pak ditësh, më 30 Gusht.
Në videon e publikuar nga media “in4s.net”, Rama flet edhe serbisht, kur përsërit sloganin e partisë së Gjukanoviç,”Me vendosmëri për Malin e Zi”.
Në videon e regjistruar në ndihmë të mikut të tij Gjukanoviç, Rama shkon deri aty sa të thotë “faleminderit i dashur Milo, që ekziston” dhe shprehet se “askush tjetër nuk mund të shpëtojë të ardhmen e Malit të Zi, se sa burri që e shpëtoi kaq shumë herë në të shkuarën dhe partia që punoi kaq shumë dhe arriti kaq shumë deri sot, në drejtimin e Malit të Zi“.
Kryetari i Lidhjes Demokratike në Malin e Zi, Saubih Mehmeti gjatë një interviste për Fax News foli në lidhje me thirrjen e kryeministrit shqiptar Edi Rama në serbisht për qytetarët e Malit të Zi të cilët i ftonte që të mbështesin Gjukanoviçin në zgjedhjet që pritet të zhvillohen me datën 30 gusht.
Mehmeti tha se kryeministri Rama duhet të bëjë thirrje që të votohen partitë shqiptare në Malin e Zi pasi ato duhet të jenë faktor, ndërkohë që shpreson që Rama të ketë pasur si qëllim të ftojë votuesit malazezë që të mbështesin qeverinë.
(F.GJ/FAXWEB.AL)