Është kthyer në temën kryesore të politikës në vend lirimi me kusht i ish-kreut të Bandës së Durrësit, Lulzim Berisha. Akuza mes palëve politike, shkrime të shumta në media dhe irritim i qytetarëve. Kjo është tabloja në vend pas vendimit të Gjykatës së Apelit në Durrës.
Por kush është Lulzim Berisha, akuzat që rëndojnë mbi të dhe grupin kriminal që ai ka drejtuar, venbdimet e gjykatave ndër vite etj?
Shuplaka sjell më poshtë një përmbledhje të historikut të Lulzim Berishës dhe Bandës së Durrësit:
Lulzim Berisha, nga Durrësi, njihet si kreu i grupit të strukturuar kriminal të ashtëquajtur “Banda e Durrësit”. Person me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe i shpallur fajtor për akuzat e vrasjes, drejtimit të grupit kriminal, Trafik ndërkombëtar droge, prostitucion, trafik armësh etj.
Lirimi me kusht i ish-kreut të së ashtuquajturës “Banda e Durrësit” është përcjellë me akuza për korrupsion në radhët e gjyqësorit në Shqipëri, si nga faktorët vendas ashtu edhe nga përfaqësues ndërkombëtarë.
Kalvari i drejtësisë me Lulzim Berishën:
Me 5 dhjetor, ish- kreu i “Bandës së Durrësit” Lulzim Berisha, i dënuar për pesë vrasje dhe disa atentate u lirua me kusht nga Gjykata e Apelit Durrës. I dënuar fillimisht me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Krimeve të Rënda në vitin 2012, dënimi i Berishës u reduktua në 25 vjet burg ne vitin 2014 nga një vendim i Gjykatës së Lartë. Por edhe nga ky dënim, i akuzuari për vrasje dhe pjesëmarrje në grupe kriminale, ka kryer fizikisht 10 vjet e tetë muaj burg që nga arrestimi i tij i 6 prillit 2006.
Lulzim Berisha ka përfituar nga një seri e gjatë vendimesh gjykate të debatueshme dhe shpesh kontradiktore për ulje dënimi si dhe nga ligji i vitit 2012 për amnistinë. Një tjetër faktor që ndikoi në reduktimin e dënimit të tij është zgjatja për vite të tëra e procesit gjyqësor, ku një ditë në qeli si i paraburgosur llogaritet me 1.5 ditë burg. Pasi i shpëtoi burgimit të përjetshëm në vitin 2014, Lulzim Berisha i drejtoi Gjykatës së Durrësit një lumë kërkesash për ulje dënimi.
Më saktësisht, në shtator të vitit 2015, me vendim të gjyqtares Shpëtime Pitaku, dënimi i Berishës për periudhën 2006-2015 është ulur me 1 vit e 11 muaj burg.
Më tej, me 19 prill 2016, me vendim të gjyqtarit Tritan Hamitaj, Lulzim Berisha ka fituar një ulje dënimi prej 90 ditësh për periudhën prill 2015 –prill 2016, edhe pse ligji parashikon se të dënuarit në burgjet e sigurisë së lartë nuk mund të përfitojnë më shumë se 45 ditë ulje dënimi gjatë një viti. Me 11 maj të këtij viti, me vendim të gjyqtarit Fejzo Hysi, Berisha ka përfituar nga amnistia e vitit 2012 edhe 1 vit e gjysmë ulje dënimi, edhe pse ligji i amnistisë e mohon kategorikisht këtë të drejtë për të dënuarit me vrasje.
Ndërsa me 1 dhjetor, gjyqtarja Eda Kaja ka dhënë një vendim tjetër, duke i ulur edhe 45 ditë burg nga periudha e vuajtjes së dënimit Lulzim Berishës. Vendimet e marra nga gjyqtarët Kaja dhe Hamitaj janë në kontradiktë me njëri tjetrin për masën e uljes së dënimit dhe të mbivendosura në kohë. Lulzim Berisha e ka kërkuar lirinë me kusht që në mesin e vitit 2016, por Gjykata e Durrësit e ka hedhur poshtë me 28 korrik, duke argumentuar se ai nuk i kishte kryer akoma ¾ e dënimit prej 25 vjetësh, me gjithë uljet e përfituara deri në atë kohë.
Megjithatë, Gjykata e Apelit vendosi më 5 dhjetor se kjo kohë është përmbushur pas vendimit të uljes së dënimit me 45 ditë në 1 dhjetor nga gjyqtarja Eda Kaja. Sipas gjykatës, në përllogaritjet e bëra me datë 2 dhjetor, me uljet e përfituara edhe nga vendimi i fundit i shkallës së parë, Berisha kishte vuajtur virtualisht 18 vite e 9 muaj heqje lirie dhe i mbeteshin edhe 6 vite e 2 muaj burg, duke përmbushur kriterin bazë të lirimit me kusht.
Trupa e udhëhequr nga gjyqtari Arben Vrioni si kryesues, dhe anëtarët Petrit Çano dhe Anita Mici ka vendosur ta lirojnë me kusht Berishën, pasi kanë gjykuar se i dënuari është rehabilituar, ka pasur sjellje shembullore në burg, dhe ishte në “gjendje të renduar psikologjike për shkak të kohës së gjatë të vuajtjes së dënimit.” Një faktor tjetër që ka ndikuar vendimin e gjyqtarëve, ka qenë dhe një karakteristikë familjare pozitive e kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako, si dhe oferta e tij për një vend pune në bashki.
SI IU HOQ DËNIMI ME BURG PËRJETË
Pas 8 seancash gjyqësore, Gjykata e Lartë vendosi me 5 vota pro dhe 2 kundër të heqë dënimin me burg përjetë për Lul Berishën, të dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda dhe Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda dhe të caktojë masën e dënimit që parashikon vrasja me paramendim. Ai u dënua përfundimisht me 25 vjet burg.
Pesë gjyqtarët që morën vendimin në favor të të fortit të Durrësit, të kryesuar nga kreu i Kolegjit Penal Shkëlzen Selimi, argumentuan me faktin se ai duhej dënuar me ligjet e kohës në të cilën ishin kryer krimet (19998 – 2000) dhe se në atë kohë nuk ekzistonte në ligj koncepti i “organizatës kriminale”, një prej akuzave për të cilat ishte dënuar. Duke i hequr këtë akuzë, ai u dënua vetëm për vrasje me paramendim, akuzë që parashikonte 25 vjet burg si dënim maksimal në vitet 98 – 2000. Ardian Dvorani dhe Admir Thanza kanë votuar kundër.
VRASJET E BANDËS SË DURRËSIT
Akuzat: Trafik ndërkombëtar droge, prostitucion, trafik armësh
– Vrasja e Dritan Sallakut, 17. 10. 1998 në Durrës.
– Vrasja e Viron Currit e Arjan Pajës, plagosja Marsel Sotirit, 29. 10. 1998 në fshatin Rrashbull të Durrësit
– Vrasja e Marsel Sotirit, 22. 08. 1999 në plazh, Durrës
– Vrasja e Dritan Dishës, 09. 07. 2000 në Shënavlash, Durrës
– Vrasja e Ervin Lames, 14. 01. 2002 në lagjen numër 3, Durrës.
KONFLIKTET QË NDANË “BANDËN E DURRËSIT”:
– Viti 2003- Klodian Saliu, i lë drejtimin Indrit Dokles Ekzekutimet e organizatës së kryesuar nga Indrit Dokle Vrasja e Avni Gashit, 13. 10. 2005 në Tiranë
– Vrasja e Ilir Koldashit, 30. 10. 2005, pranë stadiumit “Qemal Stafa”, Tiranë
– Disa vrasje në tentativë ndaj Lulëzim Berishës duke rekrutuar vrasës me pagesë, Elvin Hoxhosmani, Selman Heti, Spartak Kalthi dhe Alban Neli. /SHUPLAKA/