Pas barazimit 0-0 me Lushnjen, Mark Iuliano e pranoi situatën e vështirë me të cilën po përballet Partizani në këtë fillim sezoni, që është larg çdo pritshmërie të drejtuesve të klubit.
Tekniku italian erdhi në drejtimin e kryqytetasve me një projekt të qartë, të prezantuar nga Partizani, dhe me synimin për të tentuar fitimin e titullit kampion në Kategorinë Superiore. Por, pas 3 muajsh, situata po shihet në një këndvështrim krejt tjetër.
Në 4 javët e para, Partizani ka treguar se jo vetëm nuk di të fitojë, por nuk di as të shënojë, duke bërë që të ngrihen pikëpyetje të mëdha për këtë projekt të “të kuqve”.
Vetëm dy pikë të grumbulluara, asnjë gol i shënuar e 4 të pësuar, ky është bilanci i kësaj skuadre në këtë fillimsezoni, që është shumë larg pritshmërive të drejtuesve të klubit.
Vet trajneri e di shumë mirë këtë, edhe pse ai mundohet të shfaqet i qetë. Por nuk ndodh kështu me Sulejman Starovën, që e njeh mirë punën me këtë skuadër, e që aktualisht është në rolin e këshilltarit të presidentit Demi.
Ish-trajneri i “të kuqve” nuk ngurroi t’ia vërë barrën e përgjegjësisë Luciano Moggit e vet Iulianos. I pari u vu në bankën e të akuzuarve për lëvizjet në merkato, pasi u larguan disa prej emrave më të rëndësishëm të skuadrës, si Ekuban apo Torrasa, protagonistë të “të kuqve” në sezonet e fundit.
Iuliano u shënjestrua për zgjedhjet e tij tekniko-taktike, pasi – sipas Starovës, – nëse një skuadër nuk funksionon në fushën e lojës, trajneri ka padyshim përgjegjësinë e tij. Këtë javë nuk ka ndeshje të kampionatit, për shkak të kualifikueseve të Botërorit, dhe kjo i jep mundësinë Iulianos që të ketë më shumë kohë për të punuar me lojtarët, e për t’u transmetuar më mirë idetë e tij.
Ndeshja e 11 tetorit me Teutën, në Durrës, duhet të jetë me çdo kusht pika e kthesës për Partizanin, në të kundërt e ardhmja e tij te klubi kryeqytetas vihet në një pikëpyetje të madhe.