Raportuesja për Kosovën e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunacek, u bëri thirrje politikanëve kosovarë që shkojnë në zgjedhje e parakoshme pas rënies së qeverisë së Isa Mustafës.
“Nëse grinden për këtë, për atë, nuk do të jetë gjë e mirë. Qeveria e Kosovës, Kuvendi i Kosovës kanë humbur kohë gjatë një apo dy vjetëve të kaluar. Më vjen keq që nuk ka ndodhur liberalizimi i vizave, sepse bëhet fjalë për qytetarët e Kosovës. Nuk ka ndodhur, sepse nuk është votuar demarkacioni i kufirit. Kam bërë përpjekje t’i nxis edhe partitë në qeveri, edhe ato në opozitë, por nuk e kanë bërë. Shpresoj ta bëjë qeveria e ardhshme. Shpresoj që qeveria e ardhshme ta ketë shumicën në Parlament dhe të përmbushë premtimet që janë bërë deri më tash”, tha Lunacek, duke folur për magazinën Expose të Radios Evropa e Lirë. Ajo u bëri thirrje politikanëve kosovarë që të zhvillojnë një “fushatë serioze zgjedhore. Bëjini detyrat e juaja, formoni qeveri të mirë, me shumicë të mirë në Kuvend dhe merruni me gjërat serioze. Ka pasur ca rritje ekonomike, ka pasur ca rritje në punësim – së paku çfarë thonë shifrat –por duhet të bëhet më, sidomos për të rinjtë dhe gratë. Qeveria e ardhshme duhet të përqendrohet në sigurimin e kushteve më të mira ekonomike, sociale, në arsim, në shëndetësi. Kjo është ajo që duan qytetarët. Kjo është ajo që duam edhe ne si BE për qytetarët e Kosovës”, tha Lunacek. Ajo theksoi se në BE ka mbështetje për Kosovën dhe se atje duan që Kosova të përparojë në rrugën evropiane, të bëhet anëtare e organizatave të ndryshme ndërkombëtare, të shihet si shtet, si republikë “pa e vënë askush në dyshim”. “Ka shpresë, ka të ardhme për Kosovën në Bashkimin Evropian”, theksoi Lunacek. (J.V/Shuplaka)