Presidenti francez Emmanuel Macron gjatë një dalje për mediat zbuloi planet për të rritur shpenzimet e mbrojtjes në Francë, duke paralajmëruar se Evropa po përballet me “kërcënimin më të madh” që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.
Kreu i Eliseze njoftoi një shtesë prej 6.5 miliardë eurosh në shpenzime ushtarake gjatë dy viteve të ardhshme.
Udhëheqësi francez i paraqiti këto plane në një fjalim në të cilin bëri thirrje për përpjekje të intensifikuara për të mbrojtur Evropën dhe për të mbështetur Ukrainën përballë pushtimit të Rusisë. Franca do të synojë të shpenzojë 64 miliardë euro në shpenzime vjetore të mbrojtjes në vitin 2027, sipas Macron.
Kjo shifër është dyfishi i 32 miliardë eurove që vendi po shpenzonte për mbrojtje kur ai u bë president në vitin 2017.
“Që nga viti 1945, liria nuk është kërcënuar kurrë kaq shumë dhe kurrë kaq seriozisht,” tha Macron në fjalimin tradicional të presidentit francez drejtuar ushtrisë në prag të festës kombëtare të Ditës së Bastijës.
“Për të qenë të lirë në këtë botë, duhet të na kenë frikë dhe që të kenë frikë, duhet të jemi të fuqishëm,” shtoi Macron.
Ai këmbënguli se Franca mund të përballojë shpenzime më të larta ushtarake edhe pse kërkon të zvogëlojë borxhin e saj kombëtar.
Ndërsa konservatorët dhe partitë e ekstremit të djathtë mbështesin gjerësisht përpjekjen e tij për investime më të mëdha në mbrojtje, partitë e krahut të majtë e kanë akuzuar qeverinë për minimin e mirëqenies sociale në favor të ushtrisë.
Makron paralajmëroi se Evropa përballet me rreziqe në rritje nga lufta e Rusisë në Ukrainë, konfliktet në Lindjen e Mesme dhe fushatat e dezinformimit të udhëhequra nga të huajt, duke përfshirë propagandën që synon fëmijët.
Ai gjithashtu udhëzoi udhëheqjen ushtarake dhe të mbrojtjes së Francës të nisë një “dialog strategjik” me partnerët evropianë rreth rolit të mundshëm të arsenalit bërthamor të Francës në arkitekturën e sigurisë së Evropës. Në një hap të rrallë, Franca dhe Britania ranë dakord së fundmi të thellojnë bashkëpunimin në mbrojtjen bërthamore. Fjalimi i Macron erdhi ndërsa Presidenti i SHBA-së Donald Trump pritet që sot të bëjë një njoftim të rëndësishëm në lidhje me Rusinë dhe ndërsa kreu i NATO-s udhëton për në Uashington.