Të rinj aventurierë të borës dhe lartësive janë ngjitur në këto ditë të para janari në Majën e Qorres, e ndodhur në lartësinë 2018 metra mbi nivelin e detit, një ndër destinacionet më të bukura dhe të vështira të Parkut Kombëtar të Llogorasë.
Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura ndau në rrjetet sociale pamje nga ky mal, ku turistët shijojnë një pamje të magjishme nën petkun e dëborës.
“Të shumtë janë turistët të cilët zgjedhin ta provojnë këtë sfidë, pavarësisht kushteve atmosferike, për të marrë kështu më të bukurën e kësaj pasurie natyrore. Rrugëtimi drejt Majës së Qorres kërkon përgatitje të mirë fizike, veshjen e duhur si dhe guida të licensuara për të realizuar kështu një eksperiencë sa më të sigurtë”, theksoi AKZM.
Nga Maja e Qorres ofrohet një pamje magjepsëse, nga ku duken lumi i Vlorës me fshatrat dhe zonën përreth.
Parku Kombëtar i Llogorasë është një nga hapësirat natyrore më të vizituara nga turistë vendas e të huaj në çdo stinë të vitit.