Është kërkuar që të diskutohet sot në Komisionin e Ekonomisë propozimi i ministrit të Diasporës Pandeli Majko për përjashtimin nga tatimi mbi të ardhurat për shtetasit e huaj dhe shtetasit e huaj me origjinë shqiptare që përfitojnë pension, si kusht lehtësues për vendqëndrim në territorin e Republikës e Shqipërisë.
Sipas Majkos kjo do të rriste numrin e personave që zgjedhin Shqipërinë për të jetuar, pavarësisht se mosha për të cilën diskutohet nuk është ajo vitale, pasi kemi të bëjmë me persona të moshave të treta.
Mirëpo ky propozim i Majkos ka gjetur të papërgatitur deputetët dhe për këtë shkak drejtuesja e Komisionit Milva Ekonomi, ka kërkuar që kjo çështje të diskutohet në një moment të mëvonshëm.
Milva Ekonomi: Komisioni ka nevoj për një informacin më të zgjeruar.
Majko: Jam i gatshëm të jap çdo shpjegim.
Komisioni vendosi ta diskutojë propozimin e Majkos pas 30 minutash, ndërkohë që mbetet ende e paqartë sesa është numri i personave që mund të përfitojnë nga ky lehtësim që i kërkohet qeverisë shqiptare.
Në këtë mbledhje është diskutuar dhe mbi aktin normativ për buxhetin 2019, ku deputetja Blerina Gjylameti tha se bonusi i dhënë për pensionistët nuk preku parametrat e buxhetit.
Gjylameti: Ndryshimi i buxhetit për të dhënë bonusin e pensionistëve nuk preku parametrat e buxhetit. Borxhi publik ishte brenda pritshmërive duke rënë në 65%.
Synimet për këtë vit, është ulja e evazionit fiskal, vendosjanë në zbatim të fiskalizimit, reduktimin e deficitit buxhetor, uljen e borxhit publik, vazhdimin e luftës antiinformalitet, rritjen e investimeve publike.