Ministrja e Ekonomisë, Milva Ekonomi, ka reaguar pas deklaratës së ish-drejtorit të Përgjithshëm të Postave tashmë, Majlind Lazimi dhe lajmit për kallëzimin penal ndaj saj në Prokurorinë e Përgjithshme.
Në reagimin e saj të pak minutave më parë, në përgjigje të Majlind Lazimit, ajo shprehet se ka bërë detyrën që i cakton ligji, e cila përfshin emërimet dhe shkarkimet nga detyra.
“Kam të drejtën me ligj për emërime dhe shkarkime. Jam në zbatim të detyrave që më jep ligji, nuk ka qenë e thënë asnjëherë për arsye fushate. Ka indicie për mënyrën se si punon një ndërmarrje.”, mësohet të ketë thënë ndër të tjera ministrja.
Ky reagim i saj vjen pas lajmit për një deklaratë për mediat që drejtori i shkarkuar i Postave do të japë përpara Prokurorisë së Përgjithshme, lidhur me kallëzimin penal për “shpërdorim detyre” që ai ka ngritur ndaj ministres.
Dy ditë më parë, në një konferencë për mediat, Majlind Lazimi tregoi për bisedën telefonike me ministren Ekonomi, mbi të cilën u shpreh se nuk mori asnjë shpjegim.
(XH.A/SHUPLAKA)