Në një intervistë për gazetën britanike “The Telegraph”, kryeminitri Edi Rama ka folur vetëm pak kohë më parë për rrezikun rus në Ballkan, nga frika e largimit të vëmendjes amerikane nga Ballkani. Sipas Ramës Ballkani ndodhet në rrezikun e rënies nën influencën ruse.
“Mos na braktisni, mos na lini të biem në duart e rusëve”, mësohet se është shprehur Rama për SHBA-në, raporton “The Telegraph” e Londrës. Në një intervistë dhënë në Tiranë gazetarit të së përditshmes së madhe britanike, Thomas Harding, kryeministri Edi Rama theksoi se Ballkani ndodhet në rrezikun e rënies nën influencën ruse, nëse administrata Trump injoron rajonin.
“Nëse do të ketë një tërheqje nga SHBA dhe BE, ne mund të kthehemi aty ku e nisëm dhe ju e keni parasysh se ç’do të thotë aty ku e nisëm në Ballkan”, citon gazeta kryeministrin shqiptar. Ky është një shqetësim i madh për opozitën, pasi ata kanë qenë në pushtet për shumë vite dhe kanë arsyet e tyre nga frika e një pastrimi dhe një sistemi drejtësie që funksionin mirë”, deklaron Rama në intervistën për “The Telegraph”.
Por edhe Majlinda Bregu, Kryetarja e Komisionit Kuvendor për Integrimin u shpreh për ‘Vizion+’ për rrezikun e fuqishëm të influencave ruse.
“Ndjehet që ka një rrezik, i cili është një rrezik i fuqishëm, është rreziku i financimeve ruse, të cilat mund të fshihen me emra e kompani të tjera nga njëra anë, është rreziku i influencës për të mbajtur gjallë regjimet autoritare. Në rast se BE, SHBA duan të konsolidojnë jo vetëm demokracitë në vendet tona, por njëkohësisht i japin hov akoma më tutje perspektivës europiane të Ballkanit Perëndimor dhe të mos e lenë atë peng të kërcënimeve që vijnë qoftë nga Rusia apo qoftë edhe nga influence të vendeve të tjera, të cilat siç mund të mos pritej vite e shekuj më parë po bëhen bashkë për të shtrirë influencat e tyre në Ballkanin Perëndimor, është koha për të mos thënë që duhet të ishte qysh dje për të kthyer një vëmendje më të madhe për Ballkanin Perëndimor. Që do të thotë se nuk duhet të mjaftohet vetëm me shprehje interesi për investime me takime dhe me tryeza të përbashkëta, por për t’i dhënë mundësi sigurisë, e cila është çështje prioritare sot, sidomos pas problemeve që ndodhën në Ukrainë”, u shpreh Bregu.
(J.V/Shuplaka)